Saturday, 27 June 2026
54°F Detroit
BallinaShqiperiaBerisha: Edhe Rama u takua me Ahmadinejad disa herë në Iran! Të japë dorëheqjen sepse durimi po soset

Berisha: Edhe Rama u takua me Ahmadinejad disa herë në Iran! Të japë dorëheqjen sepse durimi po soset

Kryetari i Partisë Demokratike kritikoi vendimin e qeverisë shqiptare për të shpallur të padëshiruar një protestuese nga Kosova, Ikballe Huduti, duke e etiketuar si mbështetëse të Iranit. Para vendimit, Kryeministri Rama postoi në llogarinë e tij në Facebook një foto të Hudutit me ish-presidentin e Iranit, Mahmoud Ahmadinejad.

Berisha tha se me Ahmadinejad është takuar edhe vetë Rama, si dhe Erion Veliaj. “Kam qenë kryeministër në pushtet kur shërbimet e huaja më informojnë se Edi Rama ka shkuar në Teheran dhe është takuar me Ahmadinejad. Dhe se Erion Veliaj e ka bërë atë rrugë disa herë. Dhe natyrisht nga hetimet e organeve kompetente doli se të paktën në një rast, Rama kishte shkuar në Internacionalen Socialiste të mbledhur në Iran nga Ahmadinejad”, tha Berisha në një komunikim online me qytetarët, përcjell A2 CNN. “Pra, çfarë do të thotë kjo? Shpall një zonjë non-grata sepse siç e shpjegoi ka marrë një medalje si lexuese e Kuranit në një konferencë fetare”.

Ai komentoi edhe sulmet ndaj Dritan Goxhajt, i cili lexoi në protestë kërkesat kryesore ndaj qeverisë. “Rasti tjetër, është apo nuk ka qenë luftëtar i UÇK. Është i tillë apo i atillë. Arritën në shkallë ekstreme të përbaltin një nga heronjtë më të lavdishëm të luftërave të shqiptarëve për liri dhe dinjitet kombëtar në fund të shekullit të 20, Tahir Sinanin. Nxorën, rrëmuan si hiena të policisë sekrete të dikurshme fatura, dokumente pa asnjë interpretim, për të përbaltur luftën, për të përbaltur UÇK-në, për fajin e vetëm se në këtë protestë midis flamujve del edhe flamuri i UÇK, etj. Pra, njeriu që nga një anë përpiqet t’i luftojë me mjetet e tjera duke stampuar në bluzën e vet flamengot apo duke i vendosur në Facebook-un e tij, dhe i them nuk ke të drejtë morale ta bësh këtë, tregon amoralitet me këtë”, tha Berisha.

“Ti mund të stamposh në bluzën tënde Lubi Ballukun, dy Lindat, Gys Agasin, Engjëll Agaçin, Arubën. Mund të stamposësh drogën, kokainën, por kurrë flamengot. Herë tjetër i vendos ata në foton kryesore të FB, duke besuar se kështu po bëhet më miqësor me ta. Edi Rama, për ta mbyllur, thirrja ime është jep dorëheqjen menjëherë se ti je armiku më i egër i të rinjve shqiptarë. Je arrogant, je cinik, ti i urren ata dhe kërkon që ata të largohen nga Shqipëria. Ndaj dhe jep menjëherë dorëheqjen sepse po soset durimi i tyre”.

Lini një koment