Berisha ngre pikëpyetje për arrestimin e Agasit: Akt i vërtetë apo dorëzim me kushte?
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale, lidhur me arrestimin e Ergys Agasit.
Berisha ka ngritur pikëpyetje mbi mënyrën e ndalimit të tij pranë vilës, nën shoqërinë e Uljan Shpatarakut.
Kryedemokrati kërkon gjithashtu monitorim ndërkombëtar të procesit gjyqësor ndaj Agasit.
Arrestimi i Ergys Agasit afër vilës së tij, në shoqërinë e ushtarit famëkeq të karteleve Uljan Shpataraku, ndonëse është një akt për t’u përshëndetur, ngre një sërë pikëpyetjesh:
Së pari, a ishte ky një arrestim i vërtetë apo një dorëzim me kushte? Kjo pyetje lind sepse ai çdo natë ka fjetur kryesisht aty në shtëpinë e tij (dhe sipas rastit në Manzë), e përsëri askush nuk kujtohej se ai ishte në kërkim.
Së dyti, a është ky një akt i Lubisë për të futur në qerthull jo vetëm Ramën (të cilin e ka), por edhe Lindën, patronazhisten e AKSHI-t (cherchez la femme e frengut)?
Ergys Agasi, si koordinator i plotfuqishëm i Edi Ramës, Padrinos së Shqipërisë me organizatat kriminale dhe kartelet shqiptare të drogës, si dhe me kontrollin e tij mbi ministritë, AKSHI-n, SHISH-in dhe policinë, është padyshim një nga mafiozët më të rrezikshëm jo vetëm në Shqipëri e rajon, por edhe më gjerë. Procesi i tij gjyqësor kërkon nevojë urgjente për monitorim ndërkombëtar“, shkruan Berisha.
Kujtojmë se Agasi, së bashku me Shpatarakun, u arrestuan këtë të mërkurë, pranë zonës së Plepave.
Agasi dhe biznesmeni Ermal Beqiraj, i cili u arrestua pak kohë më parë në Francë, akuzohen për “grup të strukturuar kriminal” dhe “manipulim me tenderët” e ASHKI-t.
Në masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” ndodhen drejtuesja e këtij institucioni, Mirlinda Karçanaj, ndërsa ish-zv.drejtoresha e AKSHI-t Hava Delibashi u la në “detyrim paraqitje”.