E premte, 13 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›“Berisha nuk është zgjidhja, por problemi!”- Bejko: PD ka kandidatë, por jo alternativë bindëse! Kryetari është penge

“Berisha nuk është zgjidhja, por problemi!”- Bejko: PD ka kandidatë, por jo alternativë bindëse! Kryetari është penge

Analisti i njohur, Roland Bejko, i ftuar në emisionin “Ora e Fundit” në ABC News, komentoi zhvillimet në Partinë Demokratike dhe përgatitjet për zgjedhjet vendore, duke u ndalur te roli i Sali Berishës dhe vështirësitë e opozitës për të krijuar një alternativë fituese në Tiranë.

Sipas Bejkos, vendimi i Berishës për të kërkuar emrat e kandidatëve dhe jo mobilizimin e demokratëve në protesta lidhet me faktin se ai ka arritur të marrë kontrollin e sheshit, ndërsa afatet për përgatitjen e zgjedhjeve vendore po afrohen.

Analisti vlerësoi se problemi kryesor i opozitës nuk është mungesa e kandidaturave, por lidershipi aktual i Partisë Demokratike.

“Partia Demokratike ka kandidatë, ka kandidatë shumë të mirë. Po sapo ata i afrohen Berishës, ata e kompromentojnë fytyrën e tyre”, u shpreh Bejko.

Ai theksoi se figura e Berishës përbën pengesë për krijimin e një koalicioni të gjerë opozitar, pasi partitë e vogla rrezikojnë të humbasin identitetin dhe kauzën e tyre politike nëse bashkohen me të.

“Berisha nuk është zgjidhja në këtë rast, Berisha është vetë problemi”, deklaroi analisti, duke shtuar se ish-kryeministri e ka përfunduar ciklin e tij politik dhe vijon të mbajë peng opozitën.

Bejko u ndal edhe te mundësia e krijimit të një alternative të tretë politike, duke theksuar se një pjesë e elektoratit kërkon një forcë të re, përtej dy partive kryesore.

“Elektorati shqiptar pret një formacion, një alternativë të tretë. Është i dëshiruar që të ketë një alternativë, të gjejë një kuti serioze për të hedhur votën e tij përtej Berishës dhe Ramës”, përfundoi Bejko.

Lini një koment