Friday, 26 June 2026
54°F Detroit
BallinaShqiperiaBerisha për protestën e Zvërnecit: PD mbështet të drejtën e qytetarëve, por ka agjendën e saj

Berisha për protestën e Zvërnecit: PD mbështet të drejtën e qytetarëve, por ka agjendën e saj

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, rikonfirmoi qëndrimin e forcës politike që drejton në mbështetje të protestës së qytetarëve për çështjen e Zvërnecit.

Megjithatë, Berisha theksoi se, ndonëse opozita respekton të drejtën ligjore të çdo qytetari për të protestuar, Partia Demokratike nuk është bërë pjesë e kësaj proteste, pasi ka agjendën e saj të protestave dhe kauzave politike.

“Respektim i plotë i protestës. Nuk mund të marrim përsipër asnjë hap që mund të krijojë debat të çfarëdolloj natyre”, u shpreh Berisha.

Gjatë komunikimit me mediat, kreu i demokratëve u ndal edhe te vrasja e efektivit të policisë, Eneja Mekolli, duke e cilësuar ngjarjen si tronditëse dhe si dëshmi të problemeve të sigurisë në vend.

Sipas Berishës, ngjarja kërkon një hetim të plotë, përfshirë edhe verifikimin nëse operacioni për kapjen e autorit të dyshuar është dekonspiruar.

“Vrasja mizore nga një dorë kriminale e policit në detyrë. Aq e shëmtuar është edhe qëndrimi i narkoshtetit ndaj vrasësit, i cili kishte nëntë vite gjoja në kërkim dhe financohej nga fonde shtetërore sikur të ishte një fermer i nderuar”, deklaroi ai.

Në përfundim, Berisha mbajti një minutë heshtje në nderim të efektivit të vrarë në krye të detyrës, të cilin e cilësoi dëshmor të atdheut.

Lini një koment