Berisha: Projekti “Smart City” u deformua për të vendosur nën kontroll qytetarët
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një konference për mediet, akuzoi qeverinë se ka deformuar projektin “Smart City”, duke e shndërruar nga një nismë për modernizimin e shërbimeve urbane në një mekanizëm të gjerë survejimi dhe kontrolli ndaj qytetarëve.
Berisha tha se sistemi është administruar nga Policia e Shtetit dhe jo nga bashkitë, siç ndodh në vendet europiane.
“Smart City është një projekt i bazuar në kamerat robotike me rezolucion shumë të lartë, që në Evropë administrohet nga bashkitë dhe është në funksion të shërbimeve ndaj qytetarëve. Në Shqipëri, ky sistem është vendosur në dispozicion të shtetit policesk dhe Policisë së Shtetit,” – tha Berisha.
Sipas tij, kamerat inteligjente mundësojnë lexim targash, gjurmim lëvizjesh dhe mbledhje të të dhënave personale, duke krijuar rrezik për cenimin e privatësisë dhe lirive civile. Ai shtoi se modeli europian i “Smart City” përdoret për menaxhimin e trafikut, transportit publik, ndriçimit inteligjent dhe shërbimeve urbane, ndërsa në Shqipëri fokusi është vendosur te monitorimi i centralizuar.
“Menaxhon trafikun, transportin publik, ndriçimin inteligjent, parkimet dhe shërbimet bashkiake. Këtu, nën administrimin e Policisë së Shtetit, sistemi është kthyer në mbikëqyrje dhe kontroll,” – u shpreh kryedemokrati.
Berisha tha se sistemi bie ndesh me Kushtetutën e Shqipërisë dhe me direktivat e Bashkimit Europian për mbrojtjen e të dhënave personale.
“Të gjitha këto janë në kundërshtim flagrant me ligjin kombëtar dhe ndërkombëtar dhe përbëjnë një shkelje të rëndë të privatësisë,” – theksoi ai.
Në vijim, Berisha përshëndeti protestën e zhvilluar një ditë më parë në Tiranë, duke vlerësuar pjesëmarrjen masive të qytetarëve dhe duke konfirmuar mbështetjen e PD-së për pesë kërkesat e ngritura nga protestuesit.
Ai akuzoi gjithashtu zyrtarë të lartë të qeverisë për përfshirje në afera të rënda, duke paralajmëruar se opozita do të kërkojë refuzimin e çdo kërkese për azil politik nga ta në vendet partnere.