Berisha: Raporti i KE ngre shqetësime për demokracinë dhe zbatimin e vendimeve të Kushtetueses
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se raporti i Komisionit Evropian për Shqipërinë evidenton një sërë problematikash që sipas tij lidhen me funksionimin e institucioneve demokratike, kontrollin parlamentar dhe zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Në një deklaratë për mediat, Berisha tha se raporti vë në dukje shqetësime që lidhen me demokracinë, funksionimin e parlamentit dhe proceset zgjedhore në vend.
Sipas tij, Komisioni Evropian konstaton se mjedisi politik mbetet i polarizuar, ndërsa kontrolli parlamentar ndaj ekzekutivit është i kufizuar dhe reforma zgjedhore mbetet një nevojë e rëndësishme.
“Demokracia, parlamenti dhe zgjedhjet janë vënë në pikëpyetje. Raporti flet për një mjedis thellësisht të polarizuar, kontroll të kufizuar parlamentar mbi ekzekutivin dhe nevojën urgjente për reformën zgjedhore”, u shpreh Berisha.
Lideri demokrat u ndal veçanërisht te çështja e zbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, duke pretenduar se raporti evidenton moszbatimin e disa prej tyre nga institucionet shtetërore.
“Komisioni Evropian konstaton dështimin e vazhdueshëm të parlamentit për të zbatuar jo një, por disa vendime të Gjykatës Kushtetuese. Kjo është një çështje që lidhet drejtpërdrejt me shtetin e së drejtës”, deklaroi ai.
Berisha akuzoi gjithashtu kryeministrin Edi Rama për përqendrim të pushtetit dhe mungesë të kontrollit institucional mbi qeverinë, duke e lidhur këtë me problematikat e evidentuara në raport.
Gjatë fjalës së tij, kreu i PD-së komentoi edhe çështje të tjera që, sipas tij, pengojnë procesin e integrimit europian të vendit, ndërsa ngriti akuza politike ndaj qeverisë dhe zyrtarëve të saj.
Sipas Berishës, respektimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe forcimi i kontrollit parlamentar mbeten elementë kyç për avancimin e reformave dhe rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.
“Dështimi i vazhdueshëm i parlamentit për të zbatuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese.O të dashur qytetarë, rrugën drejt BE ua bllokojnë Oltat e Ramës.Nuk ka ndodhur ndonjëherë. Vetëm në diktatura autokratike nuk zbatohen vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.