Tuesday, 30 June 2026
54°F Detroit
BallinaShqiperiaBerisha takon delegacionin e Venecias, akuza për pabarazi në financimin e zgjedhjeve

Berisha takon delegacionin e Venecias, akuza për pabarazi në financimin e zgjedhjeve

Koka Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi një takim me delegacionin e Komisionit të Venecias, ku u diskutua për financimin e partive politike dhe procesin zgjedhor në Shqipëri.

Pas takimit, Berisha deklaroi se financimi i partive është problemi kryesor i zgjedhjeve. Sipas tij, diferenca mes opozitës dhe partisë në pushtet ka qenë shumë e lartë.

Ai tha se gjatë fushatës janë organizuar mijëra aktivitete me fonde publike, ndërsa përmendi edhe “Giro d’Italia” si një nga aktivitetet e zhvilluara pranë zgjedhjeve.

Berisha akuzoi qeverinë edhe për shpërndarje fondesh për pensionistët dhe falje detyrimesh financiare gjatë periudhës elektorale, duke i cilësuar si ndikim mbi votën.

“Çështja e financimit të partive është çështja më themelore e procesit zgjedhor dhe provuam me fakte që në këto zgjedhje në rrafshine financimit nga buxheti, diferenca mes financimit të dy partive, PD-PS, ka qenë 700-1000 herë. Partia në pushtet organizoi në kohën e ndaluar nga ligji 4530 ngjarje me një kosto nga disa qindra euro në 7 mln euro para buxheti, siç ishte “Giro d’Italia” një ditë para zgjedhjeve. U dha pensionistëve nga buxheti 100 euro dhuratë, dhuratë për votë”, tha ai.

Kreu i PD-së ngriti shqetësime edhe për institucionet zgjedhore dhe drejtësinë. Ai tha se KQZ dhe SPAK janë të politizuara dhe nuk kanë trajtuar siç duhet ankesat e opozitës.

Sipas Berishës, nevojiten institucione më të pavarura dhe objektive për garantimin e një procesi të drejtë zgjedhor.

Lini një koment