E shtunë, 7 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Berisha u bën thirrje qytetarëve dhe opozitës të bashkohen në mbështetje të protestës studentore

Berisha u bën thirrje qytetarëve dhe opozitës të bashkohen në mbështetje të protestës studentore

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zhvilluar një konferencë për shtyp nga selia qendrore e PD-së, ku i ka bërë thirrje qytetarëve dhe të gjitha forcave opozitare të bashkohen në mbështetje të lëvizjes studentore.

Në fjalën e tij, Berisha nëvizoi nevojën për kapërcimin e kundërshtive politike në funksion të mbështetjes së tubimeve:

“Të bashkohemi të mbështesim studentët, të bashkohemi pavarësisht nga kundërshtitë që mund të kemi njëri me tjetrin, pavarësisht nga dallimet që mund të kemi me njëri-tjetrin, të bashkohemi me studentët që po zhvillojnë një betejë epike kundër së keqes më të madhe të këtij kombi që e ka emrin Edi Rama”, tha Berisha.

Lideri i opozitës shprehu reagimin e tij ndaj ndërhyrjes së forcave të rendit gjatë protestës në kryeqytet, duke pretenduar se “protestuesit në revoltën e tyre paqësore u provokuan në mënyrë të përsëritur nga policia”.

Po ashtu, ai kërkoi “lirimin e menjëhershëm të qytetarëve të shoqëruar”, ndërsa bëri deklarata lidhur me sanksionet financiare të vendosura ndaj pjesëmarrësve:

“Garantoj se gjobat e narkoshtetit do t’u rikthehen atyre në vlerë 3 herë më të lartë, por edhe gjobëvënësi që vë firmën e tij do të paguajë shumë shtrenjtë atë firmë që vendos. U rikujtoj atyre që marrin aktin antikushtetues të firmosjes së firmave, mos kryeni krime të tilla se mund të ndiqeni edhe penalisht”, deklaroi kreu i PD-së.

Kërkesa për qeveri teknike dhe zgjedhje të lira

Në përmbyllje të deklaratës së tij, Berisha përsëriti objektivin politik të forcës që ai drejton, duke kërkuar krijimin e një kabineti tranzitor për përgatitjen e procesit të ardhshëm zgjedhor.

Ai theksoi se “bashkimi i gjithë faktorëve opozitarë duhet të jetë kurora e kësaj lëvizjeje”, me synim “të procedohet me një qeveri që përgatit teknike apo kujdestare, kuadrin ligjor dhe krijon të gjitha kushtet për zgjedhje të lira e të ndershme”.

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Lini një koment