E mërkurë, 18 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Berisha: Unë kam durim, i ftoj sërish të gjithë faktorët opozitarë që të bashkohemi kundër Edi Ramës

Berisha: Unë kam durim, i ftoj sërish të gjithë faktorët opozitarë që të bashkohemi kundër Edi Ramës

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, rikonfirmoi thirrjen për bashkimin e të gjithë faktorëve opozitarë në një front të përbashkët kundër qeverisë së Edi Ramës. Sipas tij, bashkimi i opozitës është një kusht i rëndësishëm për organizimin e protestave të fuqishme kundër qeverisë.

Në një prononcim për mediat jashtë ambienteve të Kuvendit, Berisha u pyet për ecurinë e protestës dhe ndikimin e masave ndëshkuese ndaj protestuesve.

Ai u ndal edhe te pjesëmarrja e studentëve, duke argumentuar se një nga arsyet e rënies së angazhimit të tyre është rikthimi në auditorë pas mbylljes së universiteteve, një vendim që, sipas tij, pati efekt të kundërt nga ai që synohej.

“Tani, unë nuk humbas durimin.

Ftesa ime nuk ka në bazë se ne nuk kemi kandidat, ne kemi kandidatë të shkëlqyer, ju garantoj.

Por ftesa ime ka në bazë bashkimin e të gjithë faktorëve që konsiderojnë Edi Ramën të keqen më të madhe, që e konsiderojnë Edi Ramën si një rrezik ekzistencial për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Prapë unë tregoj durim, prapë unë i ftoj dhe ftesa ime është shumë e qartë. Asnjëri nuk ftohet të ndryshojë programin e tij, të ndryshojë qëndrimin ndaj Sali Berishës, të ndryshojë platformën e tij, jo!

Bashkohemi siç jemi kundër një armiku që është më i rrezikshmi sot për kombin dhe për vendin dhe pastaj të votojnë të lirë. Secili merr votat që meriton, secili bën koalicionet që dëshiron.

Në këtë kuadër, unë prapë kam durim, megjithëse unë i dëgjoj që refuzojnë, por në qoftë se janë të vërtetë për largimin e Edi Ramës, është absolutisht alfa që duhet bashkuar të gjithë faktorët opozitarë”, tha Berisha.

Lini një koment