E hënë, 23 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›BERLIN – Rutte: NATO ende pa konsensus për anëtarësimin e Ukrainës

BERLIN – Rutte: NATO ende pa konsensus për anëtarësimin e Ukrainës

BERLIN, 23 nëntor /ATSH-DPA/- Vendet anëtare të NATO-s nuk kanë arritur ende një konsensus për anëtarësimin e Ukrainës, në aleancën ushtarake perëndimore, deklaroi sot sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte.

Deklarata e tij erdhi pas kërkesës së përsëritur të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, që vendi i tij të pranohet në aleancë.

Duke folur në takimin vjetor të Asamblesë Parlamentare të NATO-s në Berlin, Rutte tha se Ukrainës i është dhënë perspektiva e anëtarësimit në të ardhmen, por aktualisht nuk ka unanimitet mes vendeve anëtare për këtë çështje.

Ai theksoi se vendimi për pranimin e anëtarëve të rinj i takon vetë NATO-s.

“Është plotësisht e qartë se, kur bëhet fjalë për qëndrimin e aleancës se kush është ose nuk është anëtar i NATO-s, vendimi i takon NATO-s”, deklaroi Rutte.

Ai shtoi se mundësia që anëtarësimi i Ukrainës në NATO të bëhet pjesë e negociatave me Rusinë është një çështje më vete.

“Por problemi me spekulimet për këto bisedime është se, për të spekuluar mbi to, duhet fillimisht të kemi bisedime”, u shpreh ai.

Rutte vlerësoi përpjekjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për të nisur negociatat, duke theksuar se Uashingtoni po bën përpjekje shumë të mëdha dhe po bashkëpunon ngushtë me Ukrainën dhe vendet evropiane.

Ai shtoi se për të kuptuar se si do të përfundojë procesi, nevojitet edhe bashkëpunimi i presidentit rus, Vladimir Putin.

Më herët, Zelensky përsëriti kërkesën për anëtarësimin e Ukrainës në NATO, gjatë një fjalimi me videolidhje nga Kievi, drejtuar Asamblesë Parlamentare të aleancës.

Ai argumentoi se anëtarësimi në NATO, do të ishte një zgjidhje më e mirë për sigurinë evropiane sesa garancitë e sigurisë, që do të ngjasonin vetëm me klauzolën e mbrojtjes së ndërsjellë të parashikuar në nenin 5 të traktatit të NATO-s.

Rusia kundërshton anëtarësimin e Ukrainës në aleancë. NATO ka rënë dakord në parim, që Ukraina duhet të bëhet anëtare në të ardhmen, ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë kundërshtuar këtë mundësi vitet e fundit. /

Lini një koment