Betejë me zjarret në 7 zona, Ministria e Mbrojtjes për situatën: 10 vatra aktive, në Lurë aksion me 300 forca e 2 avionë!
Zjarret kanë zgjeruar edhe sot hartën e dëmeve të tyre, duke djegur dhjetëra hektarë me pyje e bimësi.
Ministria e Mbrojtjes informoi në mbrëmje se gjatë orëve të fundit, në territorin e vendit janë në ndjekje 13 vatra zjarri, nga të cilat 10 mbeten aktive, 2 janë nën kontroll dhe 1 është shuar plotësisht.
Pavarësisht terrenit të vështirë dhe kushteve të pafavorshme në disa zona, vijon angazhimi i koordinuar i strukturave të Mbrojtjes Civile nga toka dhe ajri.
“Në Lurë, Dibër, ku paraqitet një nga situatat më të rëndësishme, vijon operacioni me 200 forca bashkiake, 50 efektivë të FA-së, 15 efektivë të Policisë së Shtetit, 18 vullnetarë, 2 automjete zjarrfikëse dhe 2 avionë Air Tractor. Ndërhyrja ka mundësuar kontrollin e zjarrit në segmentin pranë banesave dhe aktualisht nuk raportohet rrezik për zonat e banuara. Aktive mbetet edhe vatra në Qafë Helmes, Bulqizë-Selishtë, ku forcat operacionale kanë arritur të vendosin nën kontroll pjesë të saj”, njofton ministria.
Në Tiranë, vijon puna në Malin e Dajtit, me 9 forca të ADZM-së dhe 2 helikopterë të FA-së, ndërsa në Priskë dhe Farkë operojnë 30 forca të MZSH-së me 6 mjete. Situata në Priskë-Farkë paraqitet nën kontroll dhe pa rrezik për zonat e banuara.
Në Krujë, ndërhyrjet nga toka dhe ajri kanë dhënë rezultat në vatrat e Abazes dhe Zidollit. Gjatë ditës është përdorur mbështetja ajrore e FA-së, ndërsa në Zidoll, pas ndërhyrjes së helikopterit, situata është normalizuar dhe po punohet për izolimin dhe fikjen e plotë.
“Në Gjirokastër, Lezhë, Elbasan dhe Shkodër vijon puna dhe monitorimi i vatrave të mbetura. Në Përmet dhe Qukës, reshjet e shiut po favorizojnë normalizimin e situatës, ndërsa vatra në Paulesh të Peqinit është shuar plotësisht. Në të gjitha zonat e raportuara nuk evidentohen rreziqe për zonat e banuara”, sqarohet më tej.
Në fund theksohet se situata po ndiqet nga afër dhe se prioritet është jeta e qytetarëve dhe siguria e tyre.
“AKMC, në koordinim me strukturat qendrore dhe vendore të sistemit të Mbrojtjes Civile, vijon ndjekjen e situatës dhe koordinimin e kapaciteteve operacionale, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe kufizimin sa më të shpejtë të vatrave aktive”, thekson MM.