Monday, 19 October 2026
54°F Detroit
Ballina›Teknologji›Bill Gates thotë se AI pa kontroll mund të ‘shkaktojë një miliard vdekje’ dhe bën thirrje për monitorim

Bill Gates thotë se AI pa kontroll mund të ‘shkaktojë një miliard vdekje’ dhe bën thirrje për monitorim

Bill Gates u ka bërë thirrje ligjvënësve federalë dhe autoriteteve të zbatimit të ligjit në SHBA që të rregullojnë zhvillimin e inteligjencës artificiale (AI).

Në një intervistë ai deklaroi se kjo teknologji, nëse lihet pa kontroll, mund të shkaktojë “një miliard vdekje” dhe se “askush nuk mendon se vetërregullimi është i mjaftueshëm”.

“Duhet që autoritetet e zbatimit të ligjit dhe politikanët të përfshihen në diskutimin se si duhet të duken masat mbrojtëse dhe monitorimi”, tha bashkëthemeluesi i Microsoft-it dhe filantropi për Kristen Welker, moderatoren e emisionit “Meet the Press” të NBC-së.

“Dhe kjo duhet të jetë një detyrim”, ka shtuar ai.

Në një pjesë tjetër të intervistës – fragmente të së cilës NBC i publikoi paraprakisht – Gates dha një paralajmërim të fortë, duke thënë se AI në duar të gabuara do të ishte “padyshim mjaft e fuqishme për të nxitur ngjarje që, siç e dini, mund të shkaktojnë një miliard vdekje”.

“Nuk ka pasur kurrë një armë aq të fuqishme sa kombinimi i njerëzve me qëllime të këqija që përdorin mjetet më të fundit të AI-së”, shtoi Gates, duke iu bashkuar paralajmërimeve të ngjashme të bëra së fundmi nga një sërë figurash të teknologjisë dhe politikës.

Ndryshe, Gates përgjithësisht konsiderohet si optimist për të ardhmen e njerëzimit.

Shumë prej atyre që raportuan apo komentuan bisedën e tij me Welker-in vunë në dukje se ajo erdhi pas një eseje prej gati 6,000 fjalësh, të cilën ai e publikoi në fund të gushtit, ku paralajmëronte për AI-në dhe rreziqet potencialisht vdekjeprurëse që ajo paraqet për njerëzimin në shkallë të gjerë.

Lini një koment