Bordi i Nvidia-s shqyrton të ardhmen e Jensen Huangut pas raportimeve për një lidhje të dytë jashtëmartesore
Bordi drejtues i kompanisë amerikane Nvidia pritet të shqyrtojë të ardhmen e drejtorit ekzekutiv, Jensen Huang, pas raportimeve për një lidhje të dytë jashtëmartesore dhe pretendimeve për kontakte me një person të dyshuar për spiunazh në favor të Kinës.
Sipas mediave amerikane, The Wall Street Journal, duke cituar persona të afërt me çështjen, raportoi se bordi po përgatitej të mblidhej për të diskutuar situatën dhe hapat e mundshëm lidhur me drejtimin e kompanisë, transmeton Telegrafi.
Ndërkohë, The New York Times raportoi të mërkurën se pamjet filmike tregojnë Huangun, 63 vjeç, në momente afërsie me Kimberly Powell, 48 vjeçe, nënkryetare e Nvidia-s për sektorin e kujdesit shëndetësor. Sipas gazetës, kjo përbën një tjetër lidhje të dyshuar jashtëmartesore të drejtuesit të kompanisë.
Powell ka qenë një nga figurat kryesore në përpjekjet e Nvidia-s për zgjerimin e përdorimit të teknologjisë së çipave në institucionet e arsimit të lartë dhe në sektorin shëndetësor. Ngjarja dyshohet se ka ndodhur gjatë një konference në San Jose të Kalifornisë, ku dëshmitarë pretendohet se i kanë parë të dy duke shfaqur afërsi në hotel.
Raportimet për lidhjen e dytë vijnë pasi Jensen Huang pranoi se kishte pasur një marrëdhënie me Alice Huang, një drejtuese e lartë në kompaninë Megaspeed, me seli në Singapor, e cila operon në sektorin e qendrave të të dhënave.
Sipas The Wall Street Journal, Jensen dhe Alice Huang janë fotografuar së bashku në Taipei gjatë viteve 2024 dhe 2025.
Ndërkohë, sipas raportimeve, inteligjenca amerikane kishte shpërndarë pranverën e kaluar një memorandum, në të cilin pretendohej se Alice Huang ishte operatore e Ministrisë së Sigurisë Shtetërore të Kinës.
Në një mesazh drejtuar punonjësve të Nvidia-s të dielën, drejtori ekzekutiv pranoi marrëdhënien me Alice Huang, duke deklaruar: “I kam qenë i pabesë bashkëshortes sime”.
Po atë ditë, bordi drejtues i kompanisë njoftoi se kishte nisur një hetim të pavarur, pas raportimeve se themeluesi dhe drejtori ekzekutiv i Nvidia-s mund të ketë qenë objektiv i një operacioni të inteligjencës së huaj.
“I mbështes hetimet dhe do të bashkëpunoj plotësisht. E dua vendin tonë dhe kompaninë tonë”, shkroi Huang në deklaratën e tij.
Sipas The New York Times, disa anëtarë të Kongresit amerikan kanë kërkuar që ai të japë një informim me dyer të mbyllura lidhur me kontaktet dhe marrëdhënien e tij me Alice Huang.
Huang është një nga drejtuesit më me ndikim në industrinë globale të teknologjisë, ndërsa Nvidia ka shënuar rritje të jashtëzakonshme të vlerës së aksioneve, falë kërkesës së madhe për çipa të përdorur në zhvillimin e inteligjencës artificiale.
Në muajt e fundit, ai është shfaqur gjithnjë e më shpesh përkrah presidentit amerikan, Donald Trump, në aktivitete të organizuara në Shtëpinë e Bardhë. Muajin e kaluar, Trump i ndau atij Medaljen Kombëtare të Shkencës.
Huang është përfshirë gjithashtu në mesin e drejtuesve të njohur të teknologjisë, së bashku me Elon Musk, Jeff Bezos dhe Mark Zuckerberg, të cilët janë zotuar të mbështesin vetërregullimin e industrisë së inteligjencës artificiale, në kohën kur po shtohen shqetësimet për rreziqet e mundshme të kësaj teknologjie.
Megjithatë, Trump ka kundërshtuar thirrjet për mbikëqyrje qeveritare të sektorit dhe ka hedhur poshtë paralajmërimet se inteligjenca artificiale mund të përbëjë kërcënim ekzistencial për njerëzimin. /Telegrafi/