E premte, 20 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›BRUKSEL – BE-BM marrëveshje e re për lehtësimin e lëvizjes së të rinjve dhe shkëmbimeve tregtare

BRUKSEL – BE-BM marrëveshje e re për lehtësimin e lëvizjes së të rinjve dhe shkëmbimeve tregtare

BRUKSEL, 20 nëntor /ATSH-DPA/ – Bashkimi Evropian dhe Britania e Madhe kanë rënë dakord për disa nisma të reja, që synojnë përmirësimin e marrëdhënieve mes tyre, 10 vjet pas referendumit për largimin e Britanisë së Madhe nga BE-ja.

Marrëveshjet u arritën përpara samitit të zhvilluar sot në Bruksel dhe përfshijnë bashkëpunimin në fushën e arsimit, tregtisë dhe klimës.

Megjithatë, zbatimi i tyre do të varet nga arritja e një marrëveshjeje për uljen e tarifave universitare, për studentët evropianë që studiojnë në Britani të Madhe.

Një nga nismat kryesore parashikon krijimin e një skeme të re lëvizjeje, e cila do t’u mundësonte të rinjve nga Britania e Madhe dhe vendet e BE-së, të udhëtonin në të dyja drejtimet për të studiuar ose punuar, pa iu nënshtruar detyrimeve aktuale për viza.

Marrëveshja synon të lehtësojë shkëmbimet arsimore dhe profesionale mes të rinjve britanikë dhe atyre evropianë, të cilat u kufizuan pas daljes së Britanisë së Madhe nga BE-ja.

Palët kanë rënë dakord gjithashtu, për heqjen e disa kontrolleve dhe dokumenteve administrative, që kërkohen aktualisht për tregtinë e shumë produkteve me origjinë shtazore dhe bimore.

Një tjetër pikë e marrëveshjes lidhet me bashkimin e sistemeve të tyre të përcaktimit të çmimit të karbonit.

Kjo do të krijonte mundësinë që në të ardhmen BE-ja dhe Britania e Madhe të njohin reciprokisht, lejet për emetimin e dioksidit të karbonit.

Këto leje u japin kompanive, të drejtën të emetojnë një sasi të caktuar gazrash ndotës dhe janë pjesë e politikave për kufizimin e ndotjes dhe luftën kundër ndryshimeve klimatike.

Pavarësisht dakordësisë për këto nisma, zbatimi i tyre varet nga një marrëveshje për uljen e tarifave universitare për studentët e vendeve të BE-së, që regjistrohen në universitetet britanike.

Të dyja palët synojnë të arrijnë një marrëveshje për këtë çështje, brenda gjashtë muajve të ardhshëm.

Aktualisht, universitetet britanike aplikojnë tarifa shumë më të larta për studentët ndërkombëtarë, përfshirë ata nga vendet e BE-së, krahasuar me tarifat që paguajnë studentët britanikë.

Në takimin e sotëm marrin pjesë presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe kryeministri britanik Andy Burnham.

Ky është samiti i dytë mes BE-së dhe Britanisë së Madhe, që prej largimit zyrtar të BM-së nga blloku në vitin 2020.

Takimi zhvillohet në një kohë kur Burnham, i cili mori detyrën në korrik, ka rihapur debatin në Britani të Madhe, për mundësinë e rikthimit të vendit në Bashkimin Evropian.

Kryeministri britanik kishte planifikuar të paraqiste përpara samitit disa alternativa për marrëdhëniet e ardhshme të vendit me BE-në, por më pas vendosi të shtyjë afatin për këtë diskutim.

Ish-sekretari britanik i Mbrojtjes, David Lammy, ka propozuar që rikthimi në BE të bëhet një nga pikat kryesore të programit elektoral të Partisë Laburiste për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se viti 2029.

Megjithatë, rikthimi i Britanisë së Madhe në BE, konsiderohet shumë pak i mundshëm në të ardhmen e afërt.

Proceset e negociatave për anëtarësim në BE, mund të zgjasin me vite apo edhe dekada dhe kërkojnë miratimin unanim të të gjitha vendeve anëtare.

Ndërkohë, shefja e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas, ka folur së fundmi për “traumën” që Brexit-i i shkaktoi bllokut evropian, pasi Britania e Madhe u bë vendi i parë që u largua nga Bashkimi Evropian.

Brenda vetë Britanisë së Madhe, Brexit-i nuk arriti të kapërcejë ndarjet e thella shoqërore dhe sot konsiderohet nga shumë qytetarë si një nga faktorët që kanë ndikuar në rënien ekonomike të vendit. /

Lini një koment