E shtunë, 21 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›BRUKSEL – Burnham: Britania e Madhe dhe BE-ja në një kapitull të ri bashkëpunimi

BRUKSEL – Burnham: Britania e Madhe dhe BE-ja në një kapitull të ri bashkëpunimi

BRUKSEL, 21 nëntor /ATSH-DPA/ – Kryeministri britanik, Andy Burnham deklaroi se Britania e Madhe dhe Bashkimi Evropian, do të shfrytëzojnë 12 muajt e ardhshëm për të shqyrtuar mundësi të reja, për thellimin e marrëdhënieve, pas arritjes së paketë së marrëveshjesh, që shënon afrimin më të madh të Londrës me bllokun evropian që prej Brexit-it.

Burnham tha se gjatë vitit të ardhshëm, palët do të zhvillojnë diskutime dhe do të shqyrtojnë ide për të ardhmen e marrëdhënieve mes tyre.

Ai theksoi se bashkëpunimi gradual me BE-në nuk mund të shkojë pafundësisht përpara dhe se marrëveshjet e arritura në Bruksel, përfaqësojnë ndoshta nivelin më të lartë të afrimit, përpara zgjedhjeve të ardhshme parlamentare në Britani të Madhe.

Kryeministri britanik pritet të paraqesë qëndrimin e tij mbi mundësitë e ardhshme të bashkëpunimit, në kuadër të planit të tij dhjetëvjeçar, i cili do të publikohet në dhjetor.

Gjatë samitit të djeshëm në Bruksel, Britania e Madhe dhe BE-ja arritën tri marrëveshje të rëndësishme.

Marrëveshja e parë lidhet me tregtinë e produkteve ushqimore dhe bujqësore. Ajo parashikon heqjen e shumicës së kontrolleve dhe kufizimeve të vendosura pas Brexit-it për këto produkte, duke filluar nga 1 marsi 2028. Marrëveshja njihet zyrtarisht si marrëveshja për masat sanitare dhe fitosanitare (SPS).

Marrëveshja e dytë lidhet me sistemet e tregtimit të emetimeve të karbonit (ETS) dhe do të zbatohet nga fillimi i vitit 2028. Përmes saj, eksportet britanike me vlerë rreth 6,5 miliardë paund, përfshirë produkte të industrisë së çelikut dhe aluminit, do të përjashtohen nga taksat kufitare të BE-së për karbonin.

Marrëveshja e tretë parashikon një skemë të re shkëmbimi për të rinjtë, e cila do t’u mundësojë shtetasve britanikë dhe atyre të vendeve të BE-së, të moshës 18 deri në 31 vjeç, të jetojnë dhe të punojnë në territorin e njëri-tjetrit për një periudhë deri në tre vjet. Skema do të ofrojë 100 mijë viza çdo vit.

Sipas dokumenteve të qeverisë britanike, të rinjtë e parë do të mund të përfitojnë nga kjo skemë jo më vonë se janari 2030.

Megjithatë, një çështje e pazgjidhur mbetet ajo e tarifave universitare për studentët nga vendet e BE-së që dëshirojnë të studiojnë në universitetet britanike.

Palët kanë vendosur një afat gjashtëmujor për të arritur një marrëveshje. Shtetet anëtare të BE-së kërkojnë që studentët evropianë të paguajnë të njëjtat tarifa si studentët britanikë.

Kjo do të nënkuptonte uljen e tarifave, të cilat aktualisht mund të arrijnë deri në 38 mijë paund në vit, në rreth 9 970 paund. Qeveria britanike i ka kundërshtuar këto kërkesa, duke argumentuar se një ndryshim i tillë do të ndikonte financiarisht te universitetet.

Mosmarrëveshja për tarifat universitare ka ngritur pikëpyetje në Bruksel lidhur me zbatimin e pjesëve të tjera të paketës, por Burnham këmbënguli se për këtë çështje nuk kishte asnjë paqartësi.

Në kuadër të marrëveshjeve të reja, Britania e Madhe dhe BE-ja ranë dakord gjithashtu, për krijimin e një dialogu të strukturuar mbi migracionin dhe për forcimin e bashkëpunimit në kuadër të planit të veprimit për Kanalin Anglez. Synimi është luftimi i rrjeteve të trafikimit të qenieve njerëzore që organizojnë kalimet me gomone drejt Britanisë.

Nga ana tjetër, gazeta “The Times” raportoi se Burnham synon që Britania e Madhe t’i bashkohet sërish Bashkimit Evropian.

Sipas gazetës, një aleat i afërt i kryeministrit, i cili nuk u identifikua me emër, deklaroi se dëshira e Burnham për rikthimin në BE, është bindje personale dhe jo thjesht një strategji politike apo taktike negociuese.

Ai shtoi se kryeministri beson se ky qëndrim përputhet me opinionin publik britanik. /

Lini një koment