BRUKSEL – Rrjedhja e të dhënave prek qindra mijëra njerëz në Belgjikë
BRUKSEL, 25 tetor /ATSH – AA/ – Të paktën 47 kompani dhe institucione në Belgjikë janë prekur nga rrjedhje të të dhënave që nga fillimi i vitit 2026, sipas një hetimi të publikuar të shtunën nga gazeta belge L’Echo.
Gjetjet bazohen në monitorimin e rrjetit të errët (dark web), të kryer nga L’Echo në bashkëpunim me kompaninë e sigurisë kibernetike Fox&Fish Cyberdefense, dhe janë konfirmuar nga Qendra Belge për Sigurinë Kibernetike.
Sipas gazetës, ndër organizatat e prekura ishin autoritetet komunale, spitalet, agjencitë e udhëtimit dhe kompanitë private.
Sipas hetimit, numri i organizatave të prekura gjatë muajve të parë të vitit 2026 tashmë e ka tejkaluar numrin e raportuar për gjithë vitin e kaluar.
“Me inteligjencën artificiale, vëllimi i sulmeve kibernetike dhe rrjedhjeve të të dhënave do të shumëfishohet në muajt e ardhshëm”, ka thënë për L’Echo Mathias Vissers, bashkëthemelues i Fox&Fish Cyberdefense.
“Duhet të përgatitemi për tronditjen”, paralajmëroi ai.
Informacionet e rrjedhura, të cilat më pas mund të blihen në rrjetin e errët për vetëm disa qindra euro, përfshijnë emra, data lindjeje, numra llogarish bankare, numra telefoni dhe adresa banimi.
Në disa raste, janë ekspozuar edhe të dhëna më personale, përfshirë fotografi familjare, thuhet në raport.
Sipas tij, kriminelët kibernetikë mund t’i kombinojnë këto informacione me të dhëna të marra nga burime të tjera për të krijuar profile të detajuara të viktimave të mundshme, duke ua lehtësuar fitimin e besimit të tyre dhe kryerjen e mashtrimeve, veçanërisht përmes sulmeve “phishing”.