Sunday, 28 June 2026
54°F Detroit
BallinaShqiperiaBSH: Rritet besimi në ekonomi

BSH: Rritet besimi në ekonomi

Përmirësimi i besimit në sektorët e ndërtimit dhe të shërbimeve, si dhe rritja e besimit konsumator, ndikuan pozitivisht në Treguesin e Ndjesisë Ekonomike ku u regjistrua një rritje prej 1.1% në muajin maj sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë.

Në raportin e fundit të “Vrojtimit të Besimit të Biznesit dhe Konsumatorit” për muajin që lamë pas, vihet re se treguesi i Besimit të Industrisë ruajti të njëjtin nivel me një muaj më parë, duke qëndruar në rreth 8,3 pikë përqindje mbi mesataren historike.

Bizneset e industrisë raportuan rritje të prodhimit në maj, pavarësisht se kontratat porositëse i vlerësuan në rënie.

Vlera optimiste shënuan edhe shërbimet gjatë muajit maj sipas raportit të Bankës Qëndrore, pasi Treguesi i Besimit në Shërbime u rrit me 3.4% dhe ecuria e tij u ndikua pozitivisht nga vlerësimi i bizneseve për nivelin e kërkesës dhe ecurinë aktuale të biznesit të tyre.

Edhe Treguesi i Besimit Konsumator u rrit me 2.5% muajin e kaluar, ku në përmirësimin e këtij treguesi ndikoi rritja në të katër komponentët përbërës: pritjet për gjendjen e tyre personale financiare, për situatën ekonomike në të ardhmen, si dhe vlerësimet për blerjet e mëdha aktuale dhe ato të pritshme nënvizon raporti i Bankës së Shqipërisë.

Ndërsa Treguesi i Besimit në Ndërtim u rrit lehtë me 0.7%. Në rritjen e këtij treguesi ndikoi kryesisht vlerësimi i përmirësuar i aktivitetit aktual ndërtues.

Nga ana tjetër i vetmi tregues që regjistroi ulje në muajin maj ishte ai i besimit në tregti që u ul me 3,3 pikë përqindje në maj.

Banka e Shqipërisë bën të ditur se rënia e besimit në këtë sektor u ndikua si nga vlerësimet më pak optimiste të bizneseve për ecurinë aktuale të shitjeve, ashtu edhe nga pritjet në rënie për punësimin.

BSH, TREGUESI I NDJESISE EKONOMIKE MAJ

Treguesi i Besimit të Industrisë   -> +8.3%

Treguesi i Besimit në Shërbime  -> +3.4%

Treguesi i Besimit Konsumator   -> +2.5%

Treguesi i Besimit në Ndërtim     -> +0.7%

Treguesi i Besimit në Tregti        -> -3.3%

Klan News

/tvklan.al

Lini një koment