Carney njofton themelimin e një fondi investimesh shtetëror prej 25 miliardë dollarë kanadezë
Kryeministri Mark Carney njoftoi se Kanadaja po krijon një fond investimesh në pronësi të qeverisë për të mbështetur projekte industriale të mëdha kombëtare në sektorë si energjia, infrastruktura, minierat, bujqësia dhe teknologjia.
Sipas Associated Press, fondi do të nisë me 25 miliardë dollarë kanadezë (rreth 18 miliardë dollarë amerikanë). Qeveria federale do të kontribuojë së bashku me investitorë privatë për të financuar projektet që qeveria e Carney dëshiron të promovojë, si pjesë e përpjekjeve për të diversifikuar ekonominë dhe ulur varësinë ndaj Sh.B.A.-së.
Carney theksoi se ndryshimet në marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara e bëjnë të nevojshme një qasje më të pavarur ekonomike. Ai përmendi si arsyetim për këtë iniciativë përvojën e vendeve të tjera që krijuan fonde sovrane me fokus fillestar të brendshëm, e më pas zgjeruan operimin e tyre.
Fondet sovrane zakonisht investojnë në aksione, bono dhe pasuri të paluajtshme dhe shpesh financohen nga tepricat buxhetore, gjë që aktualisht mungon në Kanada. Rreth 90 fonde të tilla menaxhojnë më shumë se 8 trilionë dollarë, sipas International Forum of Sovereign Wealth Funds. Njoftimi erdhi një ditë përpara përditësimit ekonomik pranveror të qeverisë, ndërsa në Shtetet e Bashkuara presidenti Donald Trump pati urdhëruar vitin e kaluar krijimin e një fondi të ngjashëm dhe në nivel shtetëror ekzistojnë më shumë se 20 fonde të tilla, raporton Associated Press.