Monday, 12 October 2026
54°F Detroit
Ballina›Kampionati boteror›China Open tërheq numër rekord shikuesish; Zheng Qinwen hyn në histori në Pekin

China Open tërheq numër rekord shikuesish; Zheng Qinwen hyn në histori në Pekin

Turneu China Open i vitit 2026 tërhoqi një numër rekord shikuesish prej më shumë se 450 mijë vetash, siç njoftuan organizatorët në konferencën përmbyllëse për shtyp në Pekin.

Chen Jie, zëvendësdrejtori ekzekutiv dhe sekretari i përgjithshëm i komitetit organizativ, deklaroi se numri i shikuesve u rrit me 25% krahasuar me vitin e kaluar, ndërsa të ardhurat nga biletat arritën në 132 milionë juanë (rreth 19 milionë dollarë), një rritje prej 48%. Turneu mirëpriti 215 lojtarë profesionistë nga 40 vende dhe rajone, përfshirë 34 pjesëmarrës kinezë. Në Qendrën Kombëtare të Tenisit u zhvilluan gjithsej 61 ndeshje të ATP-së dhe 162 ndeshje të WTA-së.

Drejtori i turneut, Lars Graff theksoi ndryshimet e mirëpritura në shërbimet për lojtarët dhe në infrastrukturë, të cilat kanë ndihmuar në forcimin e reputacionit të turneut mes garuesve kryesorë botërorë. Zgjerimi i zonës për lojtarët, përmirësimi i ambienteve të rehabilitimit dhe shërbimeve të transportit, ishin ndër masat e reja të prezantuara këtë sezon.

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Turneu China Open përfundoi të dielën me një fitore historike për Zheng Qinwen, e cila mundi rusen Mirra Andreeva me rezultatin 7-5, 6-4 në finale, duke u bërë kështu lojtarja e parë kineze që fiton titullin në kategorinë individuale për femra në këtë turne.

Zheng shpëtoi tri “set-point”-e (pikë vendimtare për setin) në setin e parë, përpara se ta siguronte fitoren pas një ore e 43 minutash lojë. Ky triumf shënoi titullin e saj të parë në kategorinë WTA 1000, si dhe trofeun e gjashtë në karrierë në garat individuale.

Në garën e meshkujve, serbi Novak Djokovic u rikthye në Pekin pas një mungese prej 11 vitesh dhe fitoi titullin e tij të shtatë në turneun “China Open” në finalen e së martës së kaluar, duke e zgjatur në 34 ndeshje rekordin e tij pa humbje në këtë turne.

Organizatorët theksuan gjithashtu paraqitjet e lojtarëve të rinj kinezë, të cilët fituan tre nga katër titujt në eventin ITF J300, çka pasqyron qartë zhvillimin e gjeneratës së ardhshme të talenteve të tenisit në vend.

Lini një koment