Cilët janë pesë të nominuarit për ambasadorë dhe cilët po presin dekretimin nga presidentja?
Kosova pritet të ketë ambasadorë të rinj në Belgjikë dhe Luksemburg, Japoni, Kroaci, Senegal dhe Kanada. Sipas informacioneve të Telegrafit, Gazmend Gjushinca tashmë është dekretuar për Japoni, ndërsa katër kandidatët e tjerë janë në pritje të dekretimit.
Në disa përfaqësi diplomatike, Kosova vazhdon të përfaqësohet nga ambasadorë me mandate të përfunduara, pasi procesi i zëvendësimit të tyre është vonuar gjatë zgjedhjeve dhe krizave institucionale në vend.
Gjatë tetorit dhe nëntorit janë propozuar dhe intervistuar kandidatë të rinj për ambasadorë. Pas marrjes së detyrës nga presidentja Justina Shiroka-Pula, propozimet e para janë dërguar në Presidencë për dekretim.
Telegrafi ka raportuar gjatë fundjavës për këto kandidatura, të cilat janë nga radhët e të emëruarve politikë dhe janë dërguar për shqyrtim në Komisionin për Punë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës.
Fatmir Curri – Belgjikë dhe Luksemburg
Fatmir Curri është propozuar për ambasador të Kosovës në Belgjikë dhe Luksemburg, ku pritet ta zëvendësojë Agron Bajramin. Ai ka përfunduar procedurat në Kuvend dhe është në pritje të dekretimit nga presidentja.
Gazmend Gjyshinca – Japoni
Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Gazmend Gjyshinca, pritet të jetë ambasadori i ri i Kosovës në Japoni. Sipas informacioneve të Telegrafit, ai tashmë e ka marrë dekretin nga presidentja.
Gjyshinca do ta zëvendësojë ambasadorin e deritashëm, Sabri Kiçmari.
Hasnije Ilazi – Kroaci
Për ambasadore të Kosovës në Kroaci është propozuar Hasnije Ilazi, e cila ka mbajtur pozitën e kryetares së Këshillit Shtetëror të Cilësisë.
Ilazi është në pritje të dekretimit dhe pritet ta zëvendësojë ambasadorin e deritashëm, Martin Berishaj.
Bardhyl Dobra – Senegal
Sipas informacioneve që ka siguruar Telegrafi, Bardhyl Dobra, ish-zëvendësministër në Ministrinë e Punëve të Brendshme, është propozuar për ambasador të Kosovës në Senegal.
Edhe kandidatura e tij është në pritje të dekretimit nga presidentja.
Getoar Mjeku – Kanada
Për ambasador të Kosovës në Kanada është propozuar Getoar Mjeku, i cili mban pozitën e zëvendësministrit në ministrinë e ekonomisë.
Sipas informacioneve të Telegrafit, edhe emri i tij është dërguar në Presidencë për dekretim.
Për kandidatët që ende nuk janë dekretuar, ky hap pritet të përfundojë së shpejti, ndërsa marrja e detyrës mbetet e lidhur edhe me miratimin nga vendet pritëse.
Për propozimet dhe fazën në të cilën ndodhen procedurat, Telegrafi u është drejtuar me pyetje anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin për Punë të Jashtme, Qeverisë dhe Presidencës, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka marrë përgjigje. /Telegrafi/.