Çitaku për selamin e Thaçit: “Çdo zë që ngrihet në Prishtinë, dëgjohet edhe në Hagë”
Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, i është drejtuar qytetarëve me një mesazh të fortë në rrjetet sociale, duke reaguar ndaj selamit të dërguar nga Haga nga ish-presidenti Hashim Thaçi, përmes Abelard Tahirit, i cili e vizitoi së fundmi në Hagë.
Çitaku u bëri thirrje qytetarëve që t’i bashkohen edhe sonte protestës në Prishtinë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, duke theksuar se zërat e tyre arrijnë deri në Hagë.
“Çdo zë që ngrihet këtu, në Prishtinë, dëgjohet edhe në Hagë. U jep kurajo çlirimtarëve tanë dhe u tregon se nuk janë vetëm. Ata atje, ne këtu. Me dinjitet, çdo natë. Deri në Liri! Shihemi në shesh”, shkruan Çitaku.
Më herët sot, Thaçi falënderoi protestuesit përmes Tahirit, duke thënë se ata janë bërë një zë i fuqishëm kundër padrejtësisë. Protestat çdo natë vazhdojnë në Prishtinë kundër vendimit të Gjykatës Speciale që dënoi katër ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.
Burimi: Klan Kosova