E premte, 13 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›CNN: JD Vance po mendon të tërhiqet nga gara presidenciale e 2028 në SHBA

CNN: JD Vance po mendon të tërhiqet nga gara presidenciale e 2028 në SHBA

Zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara, JD Vance, po mendon seriozisht të tërhiqet nga gara presidenciale e vitit 2028, siç njofton Shqiptarja.com, duke iu referuar CNN. Sipas raportimit, ai po shqyrton seriozisht këtë mundësi mes humbjes së republikanëve në zgjedhjet për Kongresin, pakënaqësisë për luftën me Iranin, përçarjeve mes mbështetësve të presidentit Donald Trump dhe angazhimeve familjare.

Dy persona pranë administratës Trump thonë se Vance u ka thënë të besuarve ditët e fundit se është i pasigurt për kandidimin për të pasuar Trump në fund të mandatit të dytë, duke pasur parasysh moshën e re dhe mungesën e përvojës. Një burim pranë Vance thotë se ai ka kërkuar këshilla nga persona të afërt për të ardhmen, ndërsa një burim tjetër thotë se Trump dhe Vance kanë folur drejtpërdrejt për ambiciet e tij, pa zbuluar detaje.

Mes arsyeve të tjera të përmendura janë zhgënjimi i mbështetësve që Trump nuk e ndaloi luftën në Gazë dhe pakënaqësia e Vance me mënyrën si u trajtua dosja Jeffrey Epstein. Këto çështje, sipas raportimit, kanë shtuar pasigurinë rreth një kandidimi të mundshëm në 2028.

Zëdhënësi i zëvendëspresidentit, William Martin, deklaroi se nëse Vance do të kandidonte në 2028, do ta fitonte nominimin dhe presidencën me fitore dërrmuese. Ndërkohë, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, e quajti raportimin e CNN “fake news” dhe tha se Trump dhe Vance janë të fokusuar te axhenda e mandatit të dytë.

Vance dhe bashkëshortja e tij, Usha, kanë tre fëmijë, ndërsa karriera e tij politike nisi në vitin 2022 si senator nga Ohio. Ai konsiderohet pasardhësi i Trump dhe një nga kandidatët më të fortë për vitin 2028, por kohët e fundit është parë më i tërhequr nga media. Trump së fundmi ka thënë se do të jetë i drejtë dhe do ta lërë derën hapur edhe për të tjerë, ndërsa nëse kandidon, Vance mbush 41 vjeç në vitin 2028.

Lini një koment