Saturday, 27 June 2026
54°F Detroit
BallinaShqiperia“Çohuni nga kafja!”

“Çohuni nga kafja!”

Pas përfundimit të tubimit para Kryeministrisë, protesta kundër projektit turistik në Zvërnec mori një drejtim të ri. Qindra protestues marshuan drejt zonës së Ish-Bllokut, aty ku zakonisht Tirana e mbrëmjes mblidhet në kafene, bare dhe restorante.

Me pankarta dhe thirrje kundër qeverisë, të rinjtë vijuan marshimin në rrugët e mbushura me qytetarë, duke kërkuar jo vetëm anulimin e projektit të debatueshëm në Zvërnec, por edhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Një nga momentet që tërhoqi më shumë vëmendje ishte kur protestuesit iu afruan lokaleve të zonës dhe nisën t’u drejtoheshin klientëve të ulur në tavolina. Në videot e shpërndara në rrjetet sociale dëgjohen thirrjet: “Çohuni nga kafja!” dhe “Ejani me ne!”.

Mesazhi i protestuesve ishte i qartë: sipas tyre, koha për të ndjekur zhvillimet politike nga tavolinat e kafeneve ka mbaruar dhe qytetarët duhet të bëhen pjesë aktive e reagimit publik.

Pamjet krijuan skena të pazakonta në zemër të Ish-Bllokut. Disa qytetarë i përshëndetën protestuesit me duartrokitje, të tjerë i ndoqën me interes, ndërsa pati edhe nga ata që preferuan të vazhdonin qetësisht kafenë e mbrëmjes.

Protesta për projektin në Zvërnec ka hyrë tashmë në ditët e saj më intensive, duke mbledhur kryesisht të rinj që kërkojnë më shumë transparencë për investimin e planifikuar në zonën bregdetare. Organizatorët kanë paralajmëruar se mobilizimi do të vazhdojë edhe në ditët në vijim.

Ndërsa marshimi kalonte mes tavolinave të mbushura të Ish-Bllokut, një pyetje dukej se qëndronte pezull mbi kryeqytet: a do të vazhdojë Tirana ta ndjekë protestën nga karrigia e kafenesë, apo do të zbresë në rrugë për t’u bërë pjesë e saj?

Shikoni nje grup fotosh nga dita e trete e protestes

Lini një koment