Friday, 3 July 2026
54°F Detroit
BallinaShqiperiaCONAD feston 20 vite suksesi dhe revolucioni në tregun shqiptar

CONAD feston 20 vite suksesi dhe revolucioni në tregun shqiptar

CONAD Albania ka festuar 20-vjetorin në një mbrëmje të veçantë në Pallatin e Brigadave, ku u celebruan 20 vite histori suksesi që revolucionarizuan tregun, por edhe garantuan cilësinë maksimale për konsumatorët shqiptarë.

Themeluesi i CONAD Albania u ndal të ndante momentet e 11 viteve më parë, kur vlerësimi erdhi nga kreu i qeverisë, Edi Rama.

“Në vitin 2015, kryeministri shqiptar, gjatë një turneu në Itali për t’ua prezantuar Shqipërinë sipërmarrësve që ishin të interesuar për t’u zgjeruar përtej Adriatikut, theksoi se kompania nuk kishte ardhur në Shqipëri thjesht për kosto më të ulëta pune ose për të gjetur një treg të ri për produktet e saj. Conad kishte vepruar ndryshe: kishte trajnuar të rinjtë, duke i pajisur ata me aftësi profesionale, me një zanat, dhe kishte sjellë në Shqipëri inovacion, ekspertizë organizative dhe praktika moderne të shitjes me pakicë, duke siguruar gjithashtu standarde të larta në lidhje me sigurinë ushqimore dhe mirëqenien e punonjësve. Unë besoj se ky vlerësim nga një kryeministër, në drejtim të asaj që ka bërë Conad – qasjes që ka pasur Conad – është homazhi më domethënës dhe më i bukur që mund të kishim marrë”, tha Antonio Di Ferdinando, President i Conad Adriatico dhe Themelues i Conad Albania.

Conad Albania është një pikë referimi e padiskutueshme për sigurinë ushqimore dhe cilësinë e produkteve “Made in Italy”. Një rrugëtim i karakterizuar nga investime të qëndrueshme, hapja e qindra vendeve të punës dhe trajnimi profesional i stafit vendas sipas standardeve ndërkombëtare.

“Kolonat që bëjnë të mundur sigurimin e këtyre standardeve janë thelbësisht dy. E para është investimi i vazhdueshëm në pajisje, struktura të reja moderne e të besueshme dhe në rinovimin e ambienteve ekzistuese. Kështu, një rrjet kontrolli i ndërthurur dhe i mirëorganizuar i produkteve të freskëta (frigoriferike) garanton kontrollin e cilësisë gjatë gjithë procesit të transportit të produkteve që importojmë nga Italia në drejtim të Shqipërisë. Por, mbi të gjitha, faktori më i rëndësishëm është investimi i madh që bëjmë në trajnimin e personelit. Njerëzit që punojnë në dyqanet tona janë ata që sigurojnë kontrollin e cilësisë dhe trajtimin e duhur të produkteve, ndërkohë që u mundësojnë klientëve të mësojnë rreth produkteve dhe të kuptojnë mënyrën më të mirë për t’i konsumuar ato.”

Drejtori i Conad Adriatico, teksa foli për arritjet e CONAD Albania, cilësoi se Conad Adriatico ka qenë pjesë e këtij rrugëtimi dhe do të vijojë të jetë edhe në të ardhmen.

“Kontributi ynë është ai i sjelljes së eksperiencës sonë në lidhje me tregun evropian, në veçanti të tregut italian, i cili ka të ngjarë që së shpejti të ndikojë edhe në trendet e konsumatorëve në Shqipëri. Në Itali, blerjet ushqimore nuk kanë më të bëjnë vetëm me blerjen e produkteve; kanë të bëjnë edhe me ndërtimin e marrëdhënieve komunikuese dhe bashkëbiseduese. Prandaj ne po zhvillojmë një ekosistem shërbimesh dixhitale për konsumatorët tanë, që do të lehtësojnë jo vetëm blerjen e mallrave, por edhe ndërveprimet me blerjet dixhitale dhe një kuptim akoma më të madh të njohjes së klientëve, duke na mundësuar të përmbushim në mënyrë efektive nevojat e klientëve tanë”, tha Walter Boccuni, Drejtor në Conad Adriatico.

Conad Albania, që nga momenti i hyrjes në tregun vendas, solli standardet më të larta evropiane të sigurisë ushqimore, logjistikës dhe menaxhimit të supermarketeve, standarde që spikasin edhe sot, dy dekada më vonë.

Lini një koment