COP31 – Guterres sulmon lëndët djegëse fosile: Duhet të kenë të njëjtin fat si dinosaurët
– Në Antalia të Turqisë ka nisur samiti i krerëve të shteteve dhe qeverive në kuadër të Konferencës së Kombeve të Bashkuara për Klimën, COP31, ku sekretari i përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, bëri thirrje për braktisjen e lëndëve djegëse fosile. shkruan il fatto quotidiano.it.
Konferenca u hap nga presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, së bashku me Guterresin, i cili po merr pjesë në samitin e tij të fundit për klimën përpara përfundimit të mandatit në fund të vitit.
Në fjalën e tij, Guterres lëshoi një mesazh të drejtpërdrejtë kundër industrisë së naftës dhe gazit.
“Lëndët djegëse fosile duhet të kenë të njëjtin fat si dinosaurët. Por kjo nuk do të ndodhë vetvetiu. Dinosaurët nuk kishin lob, ndërsa lëndët djegëse fosile kanë”, deklaroi ai.
Kreu i OKB-së kritikoi fitimet e mëdha të kompanive të naftës dhe gazit, duke i krahasuar ato me fondet shumë më të kufizuara që u vihen në dispozicion vendeve vulnerabël për të përballuar humbjet dhe dëmet e shkaktuara nga ndryshimet klimatike.
“Është koha që qeveritë t’i taksojnë këto fitime dhe t’i përdorin të ardhurat për të ndihmuar vendet vulnerabël të rimëkëmben”, theksoi Guterres.
Liderët shmangin përmendjen e lëndëve djegëse fosile
Pas Guterresit, fjalën e mori kryeministri australian Anthony Albanese, vendi i të cilit koordinon negociatat zyrtare diplomatike të COP31.
Megjithëse Australia është një nga eksportuesit më të mëdhenj të lëndëve djegëse fosile në botë, Albanese foli për përgjegjësinë dhe nevojën për veprim të menjëhershëm, pa përmendur drejtpërdrejt këtë çështje.
Ndërkohë, kryeministri i Etiopisë, Abiy Ahmed, vendi i të cilit do të presë konferencën e ardhshme, vuri në dukje vështirësitë financiare të vendeve në zhvillim. Ai kritikoi kostot e larta të kredive, të cilat pengojnë financimin e masave për përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike dhe rëndojnë më tej borxhin e këtyre vendeve.
Presidenti brazilian, Luiz Inácio Lula da Silva, u ndal te prioritetet ndërkombëtare dhe burimet e financimit, duke kritikuar vëmendjen e tepruar ndaj konflikteve dhe tregtisë.
“Ne kemi filluar të flasim më shumë për armët dhe tarifat sesa për mbijetesën e brezave të ardhshëm”, deklaroi Lula, duke shtuar se tranzicioni energjetik po shihet nga disa vende si pengesë për sigurinë.
Edhe presidenti turk Erdoğan foli për pasojat e luftërave mbi natyrën dhe njerëzimin. Duke iu referuar Gazës, ai deklaroi se atje bota ka dëshmuar jo vetëm një gjenocid, por edhe një “ekocid”.
Megjithatë, as Erdoğan nuk i përmendi drejtpërdrejt lëndët djegëse fosile, ndërsa u bëri thirrje vendeve të zhvilluara të marrin përgjegjësi më të mëdha për reduktimin e emetimeve dhe financimin e politikave klimatike.
COP31 zhvillohet mes thirrjeve për më shumë angazhim financiar, tensioneve gjeopolitike dhe kontradiktave mes objektivave klimatike dhe interesave ekonomike të vendeve që vazhdojnë të mbështeten te nafta dhe gazi.