E martë, 10 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›COP31 – Liderët përballë sfidës së financimit dhe përshpejtimit të masave për mbrojtjen e klimës

COP31 – Liderët përballë sfidës së financimit dhe përshpejtimit të masave për mbrojtjen e klimës

– Konferenca e Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike, COP31, ka hyrë sot në ditën e dytë të punimeve në Antalia të Turqisë, ku në qendër të diskutimeve janë financimi i luftës kundër ndryshimeve klimatike, përshpejtimi i kalimit drejt energjive të rinovueshme dhe hartimi i planeve konkrete për reduktimin e varësisë nga karburantet fosile, sipas AP.

Konferenca, e cila nisi më 9 nëntor dhe do të vijojë deri më 20 nëntor, zhvillohet në një kohë kur vendet përballen me pasoja gjithnjë e më të rënda të ndryshimeve klimatike, përfshirë valët e të nxehtit, përmbytjet dhe ngjarjet ekstreme të motit.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, ka paralajmëruar se varësia nga lëndët djegëse fosile, përbën jo vetëm një kërcënim për klimën, por edhe rrezik ekonomik dhe sigurie, veçanërisht për shkak të luhatjeve të çmimeve të energjisë.

Një nga çështjet kryesore të diskutimit është financimi klimatik për vendet në zhvillim.

Këto vende kërkojnë mbështetje më të madhe financiare nga ekonomitë e zhvilluara, për t’u përballur me pasojat e ndryshimeve klimatike, për të mbrojtur komunitetet e rrezikuara dhe për të investuar në përshtatjen ndaj tyre, pa u detyruar të rrisin më tej borxhin publik.

Në këtë kuadër, Brazili po paraqet një udhërrëfyes për kalimin gradual nga qymyri, nafta dhe gazi drejt burimeve të pastra të energjisë, si energjia diellore dhe ajo e erës.

Dokumenti synon t’u ofrojë vendeve orientime praktike, për hartimin e planeve kombëtare të tranzicionit energjetik, duke marrë parasysh kushtet dhe mundësitë e secilës ekonomi.

Nisma lidhet gjithashtu me objektivin për të mobilizuar 1,3 trilionë dollarë financim klimatik për vendet në zhvillim deri në vitin 2035, sipas udhërrëfyesit Baku–Belém.

Ndërkohë, Turqia, vendi pritës i konferencës, po promovon një objektiv për rritjen e pjesës së energjisë elektrike në konsumin global të energjisë në 35% deri në vitin 2035, nga rreth 23% aktualisht.

Nisma synon të përshpejtojë elektrifikimin e ekonomisë, por është shoqëruar me diskutime mbi burimet, që do të përdoren për prodhimin e energjisë elektrike dhe nevojën që ky proces të mbështetet te burimet e rinovueshme.

Ish-i dërguari amerikan për klimën, John Kerry, ka theksuar nevojën që vendet të kalojnë nga premtimet te planet konkrete për zbatimin e angazhimeve klimatike.

Një tjetër çështje e rëndësishme është mbrojtja e pyjeve dhe ndalimi i shpyllëzimit, për të cilën Brazili po paraqet një udhërrëfyes të posaçëm, krahas propozimeve për tranzicionin energjetik dhe financimin klimatik.

Më 11 dhe 12 nëntor, në kuadër të COP31, do të zhvillohet Samiti i Liderëve në Antalia, ku pritet të marrin pjesë krerë shtetesh dhe qeverish.

Në agjendë janë diskutimet për tranzicionin drejt energjisë së pastër, investimet në ekonominë e gjelbër, financimin e klimës dhe përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike.

Shtetet pjesëmarrëse pritet të përballen me sfidën e shndërrimit të angazhimeve ndërkombëtare në masa konkrete, në një kohë kur objektivi i kufizimit të rritjes së temperaturës globale në 1,5 gradë Celsius po bëhet gjithnjë e më i vështirë për t’u arritur.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk po marrin pjesë në konferencë, pas vendimit të presidentit Donald Trump për të tërhequr vendin nga angazhimet ndërkombëtare për klimën.

COP31 organizohet në Antalia nga Turqia, ndërsa Australia drejton procesin e negociatave.

Konferenca synon të përshpejtojë zbatimin e Marrëveshjes së Parisit dhe angazhimeve të mëparshme ndërkombëtare, për reduktimin e emetimeve të gazeve serrë, financimin klimatik dhe forcimin e qëndrueshmërisë ndaj pasojave të ndryshimeve klimatike. /

Lini një koment