Çuçi: Shumë shpejt mbledhje tjetër e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, auditim i thellë në SHISH
Kryetari i Komisionit për Çështjet e Brendshme dhe Mbrojtjes, Bledi Çuçi, ka deklaruar se në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare është dhënë një informacion paraprak nga Shërbimi Informativ Shtetëror lidhur me situatën në këtë institucion. Çuçi tha se shumë shpejt do ketë një mbledhje tjetër të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, teksa theksoi se në mbledhje e zhvilluar dy ditë më parë janë lënë detyra për kryerjen e një auditimi të thellë, me qëllim evidentimin e çdo pasoje të mundshme për funksionimin e SHISH-it.
“Presidenti mblodhi Këshillin Kombëtar të Sigurisë ditën e hënë dhe aty pati një informacion paraprak nga Shërbimi Informativ Shtetëror. Po në Këshill u lanë detyra që të bëhet sa më shpejt një auditim i thellë në lidhje me ndonjë pasojë të mundshme, nëse ka, për funksionimin e SHISH-it”, tha Çuçi. Ai shtoi se pas përfundimit të auditimit pritet të zhvillohet një tjetër mbledhje e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, ku institucionet do të raportojnë më gjerësisht. Sipas Çuçit, përcaktimi i përgjegjësive do të bëhet pasi situata të qetësohet dhe institucionet të kenë në dispozicion të gjitha instrumentet e nevojshme për raportim.
“Me kohën do të sqarohen përgjegjësitë e secilit, qoftë penale, qoftë administrative”, u shpreh ai.
Presidenti Bajram Begaj mblodhi më 28 shtator Këshillin e Sigurisë Kombëtare për të diskutuar situatën aktuale dhe ndikimin e saj në veprimtarinë e institucioneve të sigurisë. Në takim morën pjesë, përveç anëtarëve të përcaktuar me ligj, edhe përfaqësues të Prokurorisë së Përgjithshme dhe SPAK-ut.
Sipas Presidencës, në mbledhje u diskutua për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, koordinimin me partnerët dhe aleatët ndërkombëtarë dhe rritjen e besimit të publikut. Në lidhje me hetimet ndaj ish-kreut të SHISH, Vlora Hyseni, Presidenti theksoi rëndësinë e respektimit të pavarësisë së hetimeve.
“Hetimet e drejtësisë të zhvillohen tërësisht të pavarura dhe të respektohen nga të gjithë. Çështjet individuale të mos kthehen në krizë besimi ndaj shtetit dhe ndaj institucioneve të sigurisë”, thuhej në njoftimin e Presidencës.
Mbledhja u zhvillua pas shkarkimit të ish-kreut të SHISH, Vlora Hyseni. Hyseni u vetëdorëzua më 22 shtator dhe ndodhet nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi”. Ajo akuzohet për “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”. Sipas akuzës, dyshohet se Hyseni i ka vënë në dispozicion materiale sekrete shtetërore Ergys Agasit, i arrestuar në kuadër të hetimeve për aferën e AKSHI-t.
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.