Monday, 24 August 2026
54°F Detroit
BallinaLajme nga ShqiperiaDalin të dhënat e raportit të FAO-s: Sa shqiptarë përballen me pasiguri ushqimore?

Dalin të dhënat e raportit të FAO-s: Sa shqiptarë përballen me pasiguri ushqimore?

Rreth 1 në 3 shqiptarë përballet me pasiguri ushqimore të moderuar ose të rëndë, sipas vlerësimit të FAO-s për periudhën 2023–2025. Megjithëse treguesi është përmirësuar me 1.2 pikë përqindjeje brenda një viti, Shqipëria vijon të ketë një nivel dukshëm më të lartë krahasuar me Europën dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

Në Shqipëri, pasiguria ushqimore prek rreth 32% të popullsisë, ndërsa mesatarja europiane është 7.4%. Në Europën Jugore, treguesi është edhe më i ulët, në 5.8%. Kjo do të thotë se niveli në Shqipëri është rreth 4.3 herë më i lartë se mesatarja europiane dhe 5.5 herë më i lartë se ajo e Europës Jugore.

Edhe në raport me vendet e rajonit, diferenca është e ndjeshme. Për periudhën 2023–2025, pasiguria ushqimore e moderuar ose e rëndë vlerësohet në 9.2% të popullsisë në Maqedoninë e Veriut, 9% në Malin e Zi, 8.7% në Bosnjë-Hercegovinë dhe 6.7% në Serbi.

Nga totali i popullsisë shqiptare, 8.3% përballen me pasiguri të rëndë ushqimore. Kjo përfshin situata kur familjet nuk kanë mjaftueshëm ushqim, detyrohen të reduktojnë konsumin, përjetojnë uri apo kalojnë një ditë të plotë pa ngrënë për shkak të mungesës së parave ose burimeve të tjera.

Megjithatë, në disa tregues që lidhen me ushqyerjen e fëmijëve është shënuar përmirësim. Përqindja e fëmijëve nën pesë vjeç me zhvillim të vonuar fizik ka zbritur nga 16.5% në vitin 2012 në 7.4% në vitin 2024, ndërsa mbipesha në këtë grupmoshë është reduktuar nga 20.9% në 16.7%.

Lini një koment