Sunday, 6 September 2026
54°F Detroit
BallinaKomunitetiDarkë Gala në Kishën Shën Pal në nderim të Shën Nënë Terezës dhe Martirëve Shqiptarë

Darkë Gala në Kishën Shën Pal në nderim të Shën Nënë Terezës dhe Martirëve Shqiptarë

ROCHESTER HILLS, Michigan – Kisha Katolike Shqiptare Shën Pali do të organizojë të dielën, më 27 shtator 2026, një Darkë Gala në nderim të Shën Nënë Terezës dhe 40 Martirëve Shqiptarë, në kuadër të 10-vjetorit të ngjarjeve të rëndësishme që shënuan vitin 2016.

Mbrëmja, e cila do të nisë në orën 7:00 pasdite, do të zhvillohet në ambientet e Kishës Shën Pali, në adresën 525 W Auburn Rd, Rochester Hills, MI 48307, dhe do të shoqërohet me një program të pasur artistik.

Veprimtaria i kushtohet 10-vjetorit të shpalljes së shenjtërisë së Shën Nënë Terezës, figurës shqiptare që me jetën dhe veprën e saj humanitare u bë një nga emrat më të njohur të bamirësisë dhe përkushtimit ndaj njerëzve në nevojë, si edhe përkujtimit të Martirëve Shqiptarë, të cilët sakrifikuan jetën për besimin e tyre gjatë periudhës së persekutimit fetar në Shqipëri.

Në këtë mënyrë, mbrëmja do të jetë jo vetëm një aktivitet festiv, por edhe një rast për komunitetin shqiptar në Michigan për të kujtuar një pjesë të rëndësishme të trashëgimisë së tij fetare, kombëtare dhe historike.

I ftuar i nderit në këtë veprimtari do të jetë Shkëlqesia e Tij, Imzot Rrok Gjonlleshaj, Arqipeshkëv i Tivarit, i cili do t’i bashkohet komunitetit shqiptar në këtë përvjetor.

Organizatorët e kanë vendosur mbrëmjen nën moton “Besim – Traditë – Gjak – Shenjtëri”, duke bashkuar në një aktivitet të vetëm kujtesën historike, traditën shqiptare dhe nderimin për ata që me jetën dhe veprën e tyre lanë gjurmë të rëndësishme në historinë e shqiptarëve.

Çmimi i biletës është 60 dollarë për të rriturit dhe 20 dollarë për fëmijët nën 12 vjeç.

Për rezervime dhe informacione të mëtejshme, të interesuarit mund të kontaktojnë Gjergj Kola Lajçaj në 586-855-4298, Zyrën e Kishës Shën Pali në 248-844-2150 ose Edvin Hotin në 248-991-5996.

Darka Gala e 27 shtatorit pritet të mbledhë së bashku besimtarë, familje dhe pjesëtarë të komunitetit shqiptar të Michiganit, në një mbrëmje kushtuar Shën Nënë Terezës, Martirëve Shqiptarë dhe trashëgimisë së besimit e të qëndresës shqiptare.

Lini një koment