Debati politik në Komisionin e Kulturës lë në pritje artistët te dera! Zhupa kritikon Ramën për OKB-në dhe Këshillin e
Kantautorët e thirrur për të dhënë sugjerimet e tyre mbi projektligjin e të drejtave të autorit iu desh të prisnin jashtë derës të Komisionit të Kulturës, Turizmit dhe Diasporës, deri në përfundim të debatit politik mes anëtarëve të mazhorancës dhe opozitës.
Në një hyrje të gjatë jashtë rendit të ditës, kryetarja e Komisionit, Ina Zhupa ironizoi mbledhjen e sotme të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, pjesëmarrjen e kryeministrit Edi Rama në OKB dhe deklaratën e bërë prej tij një ditë më parë kur mbërriti në aeroportin e Rinasit.
“Sot u mblodhën shkaktarët për të diskutuar si të mbulojmë skandalin e radhës. Një mbledhje me punonjësit dhe të zgjedhurit e Edi Ramës, ku 90% e tyre janë vetë me dosje në SPAK, që duhet të diskutojnë si të zgjidhin çështjen e sigurisë kombëtare. Ata që e shkaktuan, nuk mund të jenë po prapë ata që do gjejnë zgjidhje… Meraku më i madh ishte pse dolën mesazhet e Vlora Hysenit, ku flet edhe për takime me kryeministrin. Dhe ajo është maja e ajsbergut. Ajo që pamë me Edi Ramën në OKB ishte tabloja më e mirë se çfarë po ndodh. Askush nuk e takoi. Të gjithë kryeministrat e vendeve të rajonit patën një listë takimesh publike. Rama takoi vetëm Ballën dhe Ndreun, por s’kishte pse paguante aq shumë! Turp ku e keni katandisur Shqipërisë. Edi Ramës i ka humbur legjitimiteti”, u shpreh Zhupa.
Komentet e bëra nga Zhupa në çdo mbledhje të Komisionit së fundmi janë bërë monotone për socialistët, që i konsiderojnë të panevojshme, informon TCH.
“Jam mësuar tani me këto hyrje, nuk më bëjnë më përshtypje. E kemi thënë gjithmonë që drejtësia nuk duhet të ndikohet nga orekset politike. E dyta, përgjegjësitë për çështje të tilla i ka drejtësia dhe ne presim qëndrimet e tyre pa i komentuar”, tha Erion Malaj, deputet i PS.
Në OKB, kryeministri ka shkuar për Asamblenë e Përgjithshme. Ju e dini se sot jemi më mirë se kurrë në rajon, jemi më pranë se kurrë integrimit në BE dhe jemi aleat i SHBA në çdo iniciativë që ata kanë.
“Kurrë nuk ka ndodhur që një kryeministër të shkojë në OKB të rrijë si qyqe”, tha Ina Zhupa.
Për Kosovën foli Vuçiç, e masakroi, dhe nuk kishte njeri t’i dilte në mbrojtje.
“Është e disata herë që e ktheni komisionin në Foltore. Ky është Komisioni i Kulturës. Mos na bëni propagandë politike, se e mbajmë mend si dilnin urdhrat e arrestit kur ishit ju në qeverisje për njerëz që vazhdonit t’i mbanit në krye të detyrës”, u shpreh deputeti socialist Arkend Balla.
Zhupa vijoi duke përsëritur kërkesën e demokratëve për qeveri tranzitore, deri atëherë, paralajmëroi ajo, kështu do të nisin mbledhjet e komisionit.