Del në ankand jeleku i shpëtimit i një të mbijetuare të Titanikut
Një jelek shpëtimi i veshur nga një prej të mbijetuarve të RMS Titanic do të dalë në shitje këtë fundjavë në një ankand në Mbretërinë e Bashkuar. Ky objekt është konsideruar si një mundësi e rrallë dhe pritet të tërheqë vëmendjen e koleksionistëve.
Së bashku me shtëpinë e ankandeve Henry Aldridge & Son, u bë e ditur se jeleku pritet të arrijë një vlerë midis 250,000 dhe 350,000 paundëve, duke u bërë një nga objektet më të çmuara që lidhen me tragjedinë e vitit 1912.
Jeleku i përkiste Laura Mabel Francatelli, një pasagjere e klasit të parë që i mbijetoi fundosjes së anijes. Ajo udhëtonte bashkë me stilisten Lucy Duff Gordon dhe bashkëshortin e saj, të cilët gjithashtu shpëtuan pasi hipën në një nga varkat e shpëtimit.
Titaniku, i cili u nis më 10 prill 1912 dhe konsiderohej i pafundosshëm, u përplas me një ajsberg më 14 prill në Atlantikun e Veriut dhe u fundos brenda pak orësh. Nga rreth 2,220 persona në bord, vetëm rreth 700 arritën të mbijetojnë.
Jeleku ngjyrë bezhë është i nënshkruar nga Francatelli dhe të tjerë të shpëtuar. Ai përmban xhepa të mbushur me tapë dhe është pjesë e një koleksioni më të gjerë objektesh historike nga Titaniku dhe kompania White Star Line që do të dalin në ankand këtë fundjavë.