Del Piero: Yildiz më emocionon. Juventus dhe Roma kanë më shumë ritëm për Champions
Një garë për Champions League shumë e fortë, nga Napoli te Juventusi, Roma, Milani dhe Como. Pra, 5 skuadra që luftojnë për 3 vendet pas Interit kampion. Alessandro Del Piero pranon se nuk mund ta parashikojë fundin. “Është një diskutim shumë i komplikuar. Duhet të jesh brenda çdo skuadre për të kuptuar temperaturën reale të të gjithave”, – tha ai për “Gazzetta dello Sport”.
Ish-sulmuesi bardhezi analizon edhe momentet vendimtare të garës: “Tani kanë mbetur dy ndeshje dhe mund të humbasësh pikë kundër skuadrave që s’kanë më objektiva. Shikoni Juventusin me Veronën…, në futboll nuk ka asgjë të sigurt”.
Për Juventusin dhe Romën shtoi: “Nëse e fotografojmë momentin, po, Juve dhe Roma vijnë me më shumë ritëm se rivalët, që janë ngadalësuar. Kjo e ka bërë klasifikimin dhe garën për kualifikim në Champions League më të ngjeshur dhe më emocionues”.
Për talentët e rinj: “Më pëlqejnë Güler, Nico Paz dhe Cherki. Më emocionon veçanërisht turku Yildiz. Janë lojtarë me kreativitet të madh, që duhen ndjekur me kujdes”.