Monday, 28 September 2026
54°F Detroit
Ballina›Kosova›Deliu i kërkon Gërvallës procedimin e Projektligjit për Specialen: Mos e zvarrit, sille ligjin

Deliu i kërkon Gërvallës procedimin e Projektligjit për Specialen: Mos e zvarrit, sille ligjin

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu, i është drejtuar ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, lidhur me Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Deliu, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se 99 deputetë të Kuvendit të Kosovës, nga të gjitha partitë politike, janë bashkuar përmes votës së tyre në mbështetje të luftës së UÇK-së dhe të katër ish-udhëheqësve të saj që po përballen me proces gjyqësor në Hagë.

Ajo i ka kërkuar Gërvallës që të mos e vonojë procedimin e Projektligjit në Qeveri, në mënyrë që më pas të dërgohet në Kuvend për shqyrtim dhe votim.

“Donikë, i ke 99 deputetë të Kuvendit të Kosovës, nga të gjitha partitë politike, që me votën e tyre të lirë dhe unanime janë bashkuar në mbrojtje të luftës së UÇK-së dhe në mbështetje të katër ish-udhëheqësve të saj në Hagë, me mjetet juridike, politike, institucionale dhe financiare që ka në dispozicion shteti”, ka shkruar Deliu.

Ajo ka theksuar se Kuvendi dhe deputetët e kanë shprehur vullnetin politik përmes votimit, ndërsa i ka bërë thirrje ministres së Drejtësisë që ta procedojë Projektligjin në Qeveri.

“Kuvendi dhe deputetët e bënë pjesën e tyre. E dëshmuan vullnetin politik me votë. Bëje edhe ti pjesën tënde si Ministre e Drejtësisë: procedoje Projektligjin në Qeveri, që ai të vijë menjëherë në Kuvend për votim”, ka deklaruar ajo.

Deliu ka përdorur shprehjen “Deklarata është zotim. Ligji është veprim”, duke kërkuar hapa konkretë institucionalë.

“Dhe udhëheqësit tanë të luftës e të paqes kanë nevojë për veprime konkrete”, ka shkruar deputetja.

Ajo ka paralajmëruar se, në rast se vendi shkon në zgjedhje pa iu dhënë Kuvendit mundësia për ta votuar këtë Projektligj, përgjegjësia politike për mosprocedimin e tij, sipas saj, duhet të jetë e qartë.

“Mos e ndal këtë proces. Mos e blloko iniciativën. Mos ia pamundëso Kuvendit që të vendosë me votë për këtë Projektligj”, ka thënë Deliu.

Në fund, ajo ka kërkuar nga Gërvalla që ta procedojë Projektligjin, duke thënë se votimi i tij do të mundësonte edhe avancimin e proceseve të tjera politike.

“Sille ligjin, Donikë!”, ka përfunduar Deliu.

Lini një koment