Sunday, 27 September 2026
54°F Detroit
Ballina›Kosova›Demhasaj: Çka po ndodh me PDK-në? Po ta respektonin luftën, nuk do t’i bënin argatin Albin Kurtit

Demhasaj: Çka po ndodh me PDK-në? Po ta respektonin luftën, nuk do t’i bënin argatin Albin Kurtit

Analisti politik Arton Demhasaj ka reaguar pas takimit të kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, në objektin e Qeverisë.

Demhasaj, përmes një reagimi, ka ngritur pikëpyetje rreth qëndrimeve të PDK-së, duke theksuar se në të njëjtën kohë disa nga nënkryetarët e kësaj partie po marrin pjesë në protestën ku, ndër të tjera, kërkohet edhe shkarkimi i ministres Donika Gërvalla.

“Çka po ndodh kështu me PDK-në? Dhe çka është kjo përbuzje ndaj vlerave të luftës?”, ka shkruar Demhasaj.

Ai ka rikujtuar edhe deklaratën e një dite më parë të Bedri Hamzës, ku, sipas tij, kreu i PDK-së kishte paralajmëruar lëvizje nga qëndrimet e partisë për çështjen e presidentit.

“Pak ditë më parë, jo rastësisht, e përmenda emrin e komandantit Ramush Haradinaj për president. Ramushi doli vetë e pak ditë para se të ishte seanca në Hagë e propozoi Thaçin për president, ndërkaq sot PDK-ja e Hashim Thaçit zgjedh të negociojë me shefin e Donika Gërvallës”, ka deklaruar Demhasaj.

Sipas tij, PDK-ja duhet të kishte më shumë guxim në raport me qëndrimet e saj politike dhe me vlerat e dala nga lufta. “Po ta respektonin pak luftën, nuk do t’i bënin argatin Albin Kurtit e të dorëzoheshin”, ka shkruar ai.

Në fund, Demhasaj ka thënë se, sipas tij, një alternativë për PDK-në do të ishte mbështetja e Ramush Haradinajt për president.

“Zgjedhjen e kanë Ramush Haradinajn, veç ta kishin pasur edhe guximin. Zgjedhjet janë afër e kategoritë e dala nga lufta atëherë do ta dinë kush i tradhtoi e kush jo”, ka përfunduar Demhasaj.

Lini një koment