Friday, 2 October 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›“Denonconi!”, videot intime të artistëve, Luarasi: Turpi s’u përket grave, kush i filmoi?

“Denonconi!”, videot intime të artistëve, Luarasi: Turpi s’u përket grave, kush i filmoi?

Deputetja e PS, Iris Luarasi ka reaguar për skandalin e videove intime, duke ngritur pyetjet se kush i ka filmuar, publikuar dhe kush po fiton nga shpërndarja e materialeve.

Ajo inkurajon hetimet, por thekson se vetë viktimat duhet të denoncojnë për të zbardhur ngjarjen. Luarasi shpreh solidaritet e mbështetje për këdo që është prekur dhe se nuk kanë asnjë turp për të mbajtur.

Deputetja dënon edhe publikimin e videove nga mediat pasi nuk bëhet fjalë për informim ku qëndron edhe themeli i gazetarisë, por për poshtërim, ekspozim dhe dhunë. Sipas saj, çdokush duhet të mbajë përgjegjësi pasi turpërimi publik lë pasoja të thella.

“Një vend i tërë po sheh, shpërndan dhe tallet me materiale private që përfshijnë disa gra. Ndërsa ato anatemohen në çdo koment, pyetja më e rëndësishme lihet në hije se kush i filmoi, kush i publikoi dhe kush po fiton nga shpërndarja e tyre? Flitet për gratë kudo e flitet shumë pak ose aspak për burrat.

Ajo që dy të rritur bëjnë me dëshirë në jetën e tyre private nuk është krim. Nëse dikush është filmuar pa dijeninë ose pëlqimin e tij, kjo duhet të hetohet. Po ashtu edhe publikimi e shpërndarja e pamjeve private. Turpi nuk u përket grave. U përket atyre që cenojnë privatësinë e tyre dhe atyre që e ushqejnë këtë dhunë me “share”, klikime e tallje.

Përshëndes hetimet e nisura nga Policia dhe Prokuroria, si edhe reagimin e Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale për ndalimin dhe heqjen e këtyre materialeve. Por drejtësia merr formë të plotë kur personat e prekur e denoncojnë rastin: kjo është rruga për të zbardhur si janë realizuar videot, kush i ka përdorur dhe kush i ka shpërndarë. Grave që sot gjenden në qendër të këtij linçimi u them se nuk jeni vetëm. Nuk keni pse të mbani turpin për cenimin që mund t’ju jetë bërë. Turpi u përket atyre që filmuan, publikuan, shpërndanë dhe atyre që e ushqejnë këtë dhunë me klikime, komente dhe tallje. Edhe për ata që i shpërndajnë këto video: çdo “share”, çdo dërgim në një grup privat, çdo koment fyes apo tallës e zgjat dëmin. Nuk jeni thjesht spektatorë. Bëheni pjesë e dhunës ndaj një njeriu. Të qenit person publik nuk ia heq askujt të drejtën për privatësi; as nuk i jep publikut të drejtën të gjykojë, fyejë apo dënojë një grua për zgjedhjet e saj personale. Ata që e paraqesin jetën intime të dikujt si “lajm” për klikime dhe fitim nuk po bëjnë gazetari. Gazetaria informon, verifikon dhe respekton dinjitetin e njeriut. Shfrytëzimi i materialeve intime për trafik nuk është informim, por është ekspozim, poshtërim dhe dhunë. Duhet përgjegjësi e qartë për çdo portal, faqe apo person që jeton nga linçimi i jetëve njerëzore.

Mos harroni më të rëndësishmen se këto gra kanë fëmijë, nëna, prindër, familje, miq dhe jetë përtej ekranit. Pasojat e këtij turpërimi publik mund të jenë të rënda, të thella dhe të pakthyeshme”, shkruan Luarasi.

Lini një koment