Departamenti amerikan i Drejtësisë kërkon të rikthejë ndalimin e CNN, MS NOW dhe Politico nga Shtëpia e Bardhë
Avokatët e Departamentit të Drejtësisë (DOJ), që përfaqësojnë presidentin Donald Trump, i kanë kërkuar gjykatës federale të Uashingtonit të mos lëshojë një urdhër paraprak që do ta bllokonte ndalimin e presidentit ndaj mediave para një vendimi përfundimtar nëse ndalimi është i ligjshëm, siç njofton USA Today. Kërkesa u depozitua në gjykatë më 2 tetor dhe i adresohet gjyqtarit Timothy Kelly, të cilit administrata i kërkon të mos e zgjasë bllokimin përtej skadimit të urdhrit të përkohshëm.
Gjyqtari federal Kelly, i emëruar në këtë detyrë nga vetë Trump, kishte lëshuar më 24 shtator një urdhër ndalimi të përkohshëm 14-ditor kundër masës së Shtëpisë së Bardhë që u hiqte akreditimin gazetarëve të CNN, MS NOW dhe Politico. Ky urdhër skadon rreth 8 tetorit, dhe vendimi i gjyqtarit mbi kërkesën e DOJ do të përcaktojë nëse ndalimi rikthehet apo mbetet i pezulluar.
CNN, MS NOW dhe Politico i kishin kërkuar gjykatës më 28 shtator mbrojtje afatgjatë, duke shkruar se “fjalët dhe veprimet” e Shtëpisë së Bardhë “lënë pak dyshim se do të rikthejnë menjëherë ndalimin e plotë” sapo t’u lejohet. Mediat paditën administratën pas heqjes së lejeve të hyrjes, duke argumentuar se u shkelën të drejtat kushtetuese të fjalës së lirë dhe të një procesi të rregullt ligjor.
Trump e kishte shpallur ndalimin më 18 shtator në rrjetet sociale, duke thënë se ishte i frustruar nga “storiet e grumbulluara gjatë viteve të fundit” të asaj që e quajti “lajme të rreme”. Një ditë më vonë, më 19 shtator, gazetarëve të tre mediave iu mohua hyrja në Shtëpinë e Bardhë, çka i shtyu ato të ngriheshin në padi.
Administrata argumenton se aksesi në Shtëpinë e Bardhë është privilegj, jo e drejtë, dhe se mediat paraqesin rreziqe për sigurinë kombëtare për shkak të raportimeve mbi informacione të klasifikuara. Gjyqtari Kelly kishte konstatuar më parë se ndalimi shkelte me gjasë të drejtën e mediave për njoftim dhe dëgjim para heqjes së lejeve të hyrjes. Pavarësisht rikthimit të lejeve të shtypit pas urdhrit të tij të përkohshëm, Shtëpia e Bardhë ka vazhduar ta bllokojë CNN-in nga udhëtimet me Air Force One.