E mërkurë, 20 Maj 2026
54°F Detroit
BallinaKronikaDetroit nis ofensivë kundër pronarëve neglizhentë: 61 ndërtesa nën vëzhgim për kushte të rënda banimi

Detroit nis ofensivë kundër pronarëve neglizhentë: 61 ndërtesa nën vëzhgim për kushte të rënda banimi

Qyteti i Detroitit ka nisur një aksion të koordinuar për të detyruar pronarët e banesave me qira të kryejnë riparimet e nevojshme, në një përpjekje për të përmirësuar kushtet e jetesës dhe për të mbrojtur banorët nga rreziqet.

Kryetarja e bashkisë së Detroitit, Mary Sheffield, bëri të ditur se departamentet e ligjit, sigurisë së ndërtesave dhe shëndetit do të bashkëpunojnë për të zbatuar masa më të forta ndaj pronarëve që nuk respektojnë detyrimet e tyre.

Sipas zyrtarëve, aktualisht vetëm 14% e pronave me qira në Detroit kanë një certifikatë përputhshmërie, një tregues i ulët që reflekton problemet e vazhdueshme në sektorin e banesave.

Autoritetet kanë identifikuar 61 ndërtesa shumëbanesore me probleme kronike të mirëmbajtjes dhe shkelje të rregullave, të cilat kanë mbetur të pazgjidhura për një kohë të gjatë. Qyteti synon të ndërhyjë përpara se këto ndërtesa të degradohen më tej dhe të rrezikojnë jetën e banorëve.

Plani i ri përfshin inspektime të përbashkëta nga Departamenti i Ndërtesave, Sigurisë Inxhinierike dhe Mjedisit (BSEED) dhe Departamenti i Shëndetit, marrëveshje të detyruara nga gjykata për riparime, si dhe vendosjen e barrave (liens) mbi pronat që kanë gjoba të papaguara për shkelje të rënda.

Zyrtarët bëjnë të ditur se nga 61 ndërtesat problematike, 34 janë të lidhura me kompaninë Real Token, ndërsa 27 të tjera i përkasin subjekteve si Russell Woods Apartments LLC, Chapel Court, Imperial Manor dhe Pierre Apartment.

Departamenti ligjor i qytetit do të kontaktojë pronarët në javët në vijim për të nënshkruar marrëveshje të mbikëqyrura nga gjykata, të cilat do të përcaktojnë afate konkrete për riparimet. Nëse këto detyrime nuk përmbushen, qyteti mund të ndërmarrë veprime ligjore, deri edhe në marrjen e kontrollit të pronës si një shqetësim publik.

Ndërkohë, Departamenti i Apelimeve dhe Seancave do të vendosë barrë mbi pronat me shkelje të shumta dhe të papaguara, të cilat do të mbeten në fuqi derisa problemet të zgjidhen.

“Bëhet fjalë për të qenë proaktivë dhe jo reaktivë. Synojmë të parandalojmë zhvendosjen e banorëve, të mbrojmë familjet dhe të mbajmë përgjegjës pronarët përpara se situata të dalë jashtë kontrollit,” tha Sheffield.

Problemet me kushtet e banesave me qira kanë qenë prej kohësh shqetësim për banorët e Detroitit. Raste të fundit përfshijnë ndërhyrjen e qytetit ndaj kompanisë Real Token për shkelje të shumta, si dhe situatën e vështirë të banorëve të Leland House, të cilët u përballën me pasiguri gjatë falimentimit të ndërtesës.

Si pjesë e një strategjie më të gjerë, qyteti synon gjithashtu që deri në gusht 2026 të sjellë në përputhje 65 ndërtesa për të moshuarit. Në vitin 2024, Këshilli Bashkiak miratoi ndryshime në rregulloren e qirave, duke rritur gjobat dhe duke i dhënë qytetit më shumë kompetenca për të vendosur masa ndaj pronarëve që nuk respektojnë ligjin.

Zyrtarët shpresojnë që niveli i përputhshmërisë së pronave me qira të rritet nga 14% aktualisht në 25% deri në 35% gjatë vitit të ardhshëm.

Burimi: Detroit Free Press

Lini një koment