Dhuna në protestë, katër në pranga dhe shtatë të proceduar. Njëri gjobitet 500 mijë lekë!
Katër persona janë arrestuar dhe shtatë të tjerë janë proceduar penalisht pas akteve të dhunës gjatë protestës së zhvilluar të shtunën në Tiranë.
Sipas Policisë, protestuesit kundërshtuan dhe goditën me sende të forta dhe lëndë piroteknike punonjësit e rendit, bllokuan qarkullimin dhe dogjën kazanë mbeturinash. Gjatë kontrolleve, uniformat blu sekuestruan lëndë narkotike kanabis, një send metalik shpues, një armë imituese, 50 sfera metalike dhe mjete që dyshohet se janë përdorur për hedhjen e gurëve.
Në kuadër të Aktit Normativ janë vendosur gjithashtu 12 masa administrative ndaj personave që kanë kryer kundërvajtje gjatë tubimit. Një prej tyre është gjobitur me 500 mijë lekë, pasi, i maskuar me kapuç, ka goditur me gurë në drejtim të policisë dhe godinës së Kryeministrisë, duke mos iu bindur thirrjeve të efektivëve për të ndaluar veprimet e dhunshme.
Ndërkohë, hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë dhe dokumentimin e plotë të ngjarjeve.