E enjte, 12 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Dhunuan 64-vjeçarin për një vend parkimi në Shkodër, tre të pandehurit përfitojnë nga amnistia, Apeli rrëzon ankimin e Prokurorisë

Dhunuan 64-vjeçarin për një vend parkimi në Shkodër, tre të pandehurit përfitojnë nga amnistia, Apeli rrëzon ankimin e Prokurorisë

Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Shkodrës për Izmir Sakicën, Samuel Troshanin dhe Arlind Kajoshin, të akuzuar për dhunimin e 64-vjeçarit Vladimir Bruçi pas një konflikti për një vend parkimi, siç njofton Shqiptarja.com.

Prokuroria e Shkodrës kishte kërkuar për tre të pandehurit dënime që arrinin në total 24 vite burg, por Gjykata e Apelit vendosi të mos pranojë ankimin e organit të akuzës, duke lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë.

Tre të pandehurit ishin shpallur fajtorë nga shkalla e parë vetëm për veprën penale të “prishjes së qetësisë publike”. Megjithatë, ata përfitojnë nga ligji për amnistinë, çka ka sjellë pushimin e çështjes, në zbatim të ligjit nr. 57/2026 “Për dhënie amnistie”, bën me dije Shqiptarja.com.

Ngjarja për të cilën u gjykuan të pandehurit ndodhi më 3 qershor 2024, në lagjen “Rus” të Shkodrës, ku Vladimir Bruçi u dhunua me sende të forta pas një debati për një vend parkimi. Sipas raportimeve të mediave, në konflikt ishin përfshirë gjashtë persona.

Dy vite më vonë, më 20 gusht 2026, Bruçi mbeti sërish viktimë e dhunës, këtë herë i plagosur me armë zjarri pranë banesës së tij, po në lagjen “Rus”. Fqinji i tij, 70-vjeçari Pjerin Bitani, qëlloi dy herë me pistoletë duke e plagosur në këmbë, pas një konflikti për kamerat e sigurisë të vendosura në zonën e parkimit, ndërsa më pas u vetëdorëzua në polici.

Lini një koment