“Dhunues i lirisë së të tjerëve”, Rama reagon për përplasjen me Arjan Konomin: Imagjinojeni sa herë gënjeshtra bën kërdinë mbi të vërtetën
Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas një videoje të publikuar në rrjetet sociale nga analisti Arjan Konomi, i cili pretendoi se gjatë pushimeve të kryeministrit në fshatin Vuno, ku ndodhej së bashku me familjen, ishte shoqëruar nga policia, i ishte marrë telefoni padrejtësisht dhe ishte fyer pasi i kishte drejtuar disa pyetje kreut të qeverisë.
Rama ka publikuar një tjetër video, për të cilën pretendon se tregon një version krejt ndryshe të ngjarjes. Në pamje, kryeministri shihet duke qëndruar në një lokal në fshatin Vuno së bashku me familjen, ndërsa Konomi afrohet pranë tavolinës dhe i drejtohet Ramës, duke i kërkuar llogari lidhur me gjobat e automjeteve.
Kryeministri e ka cilësuar Konomin si “dhunues të lirisë së të tjerëve” dhe e ka akuzuar se ka ofenduar dhe bullizuar bashkëshorten e tij dhe fëmijën.
Rama e ka shfrytëzuar reagimin edhe për të kritikuar mënyrën se si informacioni përhapet në rrjetet sociale, duke argumentuar se pamjet e shkëputura dhe rrëfimet e njëanshme mund të krijojnë një perceptim të ndryshëm nga ajo që ka ndodhur realisht.
“Ja që për fat të mirë ka edhe një video tjetër, e cila tregon krejt të kundërtën e videos që një dhunues i lirisë së të tjerëve paska vrapuar të tregojë botërisht, duke bërë para pasqyrës së tij viktimën e dhunuar, duke shfrenuar fantazinë dhe duke sharë si i përdalë një grua e një nënë, të cilën e bullizoi bashkë me fëmijën e saj në mes të rrugës – ku ngjarja u zhvillua krejt ndryshe nga rrëfimi në pasqyrë dhe u përhap pastaj në kanalet sociale si një tjetër gënjeshtër e madhe e luftës liridashëse kundër regjimit imagjinar
Fatmirësisht këtë herë ka një video demaskuese të gënjeshtrës, po imagjinojeni se sa herë të tjera gënjeshtra bën kërdinë mbi të vërtetën nëpër pasqyrat ku kujtojmë se informohemi”, shkruan Rama.