Saturday, 4 July 2026
54°F Detroit
BallinaShqiperiaDialogu Kosovë-Serbi në fokus, Hoxha takon Sørensen në Pragë

Dialogu Kosovë-Serbi në fokus, Hoxha takon Sørensen në Pragë

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka zhvilluar një takim në Pragë me Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sørensen, në kuadër të Forumit GLOBSEC.

Në një postim në platformën “X”, Hoxha e cilësoi takimin si pozitiv dhe vlerësoi angazhimin e vazhdueshëm të Bashkimit Evropian në procesin e dialogut dhe në mbështetjen e zhvillimeve demokratike në Kosovë.

Ai theksoi se BE ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në forcimin institucional, reformat në fushën e shtetit të së drejtës dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Sipas Hoxhës, Kosova mbetet e orientuar qartë drejt integrimit evropian dhe është plotësisht në përputhje me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë së Bashkimit Europian. Në këtë kontekst, Shqipëria vlerëson se ky angazhim duhet të njihet më tej dhe se Kosovës duhet t’i jepet statusi i vendit kandidat për në BE, si një sinjal politik i rëndësishëm për qytetarët e saj dhe për të ardhmen evropiane të rajonit.


Ministri shqiptar nënvizoi gjithashtu se përpjekjet e BE-së dhe të Përfaqësuesit të Posaçëm janë thelbësore për ecurinë e dialogut, ndërsa theksoi nevojën për ndërtimin e besimit mes palëve.

Në këtë kuadër, Hoxha rikujtoi rëndësinë e zbardhjes dhe marrjes së përgjegjësisë për sulmin në Banjskë, duke e cilësuar këtë si një element kyç për sigurinë dhe stabilitetin në rajon.

Ai përsëriti se dialogu mbetet e vetmja rrugë e qëndrueshme për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe për forcimin e paqes dhe bashkëpunimit rajonal. Shqipëria, sipas tij, do të vijojë të mbështesë fuqimisht këtë proces dhe mbetet e gatshme të kontribuojë në mënyrë konstruktive në zhvillimet e tij.

/tvklan.al

Lini një koment