Diaspora shqiptare ne Michigan proteston në Shelby Township: “Ky është vetëm fillimi”
Tubimi para District Court ne Shelby Twp. në Michigan përcolli mesazhin e vazhdimësisë dhe unitetit të komunitetit shqiptar
Komuniteti shqiptar i Michiganit zhvilloi sot një protestë para godinës së District Court në Shelby Township, Michigan, duke përcjellë një mesazh mbështetjeje për Shqipërinë dhe angazhimi për të vazhduar reagimin qytetar edhe nga diaspora.
Organizatorët theksuan se protesta u zhvillua pavarësisht sfidave dhe diskutimeve për shtyrjen e saj për javën e ardhshme, duke argumentuar se është e rëndësishme të mos ketë asnjë javë bosh pa një reagim të komunitetit shqiptar.
“Sot treguam edhe një herë se komuniteti i shqiptarëve të Michiganit është gjithmonë në gatishmëri t’i gjendet atdheut pranë sa herë që është nevoja,” u shprehën organizatorët pas përfundimit të tubimit.
Sipas tyre, vazhdimësia e protestave është elementi më i rëndësishëm i kësaj nisme, pasi dëshmon stabilitetin, seriozitetin dhe forcën e komunitetit, pavarësisht vështirësive që mund të hasen në organizimin e tyre.
Organizatorët nënvizuan gjithashtu se misioni i tyre është, në radhë të parë, mbrojtja e interesave të komunitetit shqiptar në Michigan. Ata theksuan se pikërisht në këtë komunitet do të edukohen brezat e rinj, të cilët do të mbajnë gjallë kauzën kombëtare në të ardhmen. Në të njëjtën kohë, sipas tyre, edhe mbështetja për çështjet që lidhen me Shqipërinë do të ndërtohet mbi vullnetin dhe prioritetet e komunitetit, në mënyrë që diaspora shqiptare në Michigan të ketë një zë me autoritet dhe peshë në marrëdhëniet me shtetin amë.
Në përfundim të protestës, organizatorët përcollën një mesazh të qartë për pjesëmarrësit dhe komunitetin shqiptar: “Qëndroni gati! Rruga vazhdon! Ky është vetëm fillimi.” Tubimi u mbyll nën moton: “Atdheu është i atyre që e duan.”