E premte, 6 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Kosova›Djemtë e Enver Zymerit dhe Afrim Bunjakut diplomojnë si policë, Kurti: Do të ndjekin gjurmët e prindërve

Djemtë e Enver Zymerit dhe Afrim Bunjakut diplomojnë si policë, Kurti: Do të ndjekin gjurmët e prindërve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë ceremonisë së diplomimit të 397 kadetëve të rinj, ka bërë të ditur se në mesin e të diplomuarve janë edhe Sokol Zymeri dhe Jetlum Bunjaku, të cilët po ndjekin gjurmët e baballarëve të tyre, të rënë në krye të detyrës.

Kurti ka thënë se të dy do të vazhdojnë angazhimin e prindërve të tyre në ruajtjen e rendit dhe zbatimin e ligjit në Republikën e Kosovës.

“Mes jush gjenden edhe dy djemtë e heronjve tanë, Sokol Zymeri dhe Jetlum Bunjaku. Në gjurmët e prindërve të tyre, ata do të vazhdojnë angazhimin në ruajtjen e rendit dhe zbatimin e ligjit, sepse vetëm kësisoj e fuqizojmë Republikën e Kosovës dhe sigurinë e paqen për të gjithë”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka rikujtuar kontributin e Enver Zymerit dhe Afrim Bunjakut, duke u bërë thirrje policëve të rinj që të mos harrojnë sakrificën e tyre dhe të gjithë pjesëtarëve të Policisë që kanë rënë në krye të detyrës.

“Secilën ditë, mos harroni, por i nderoni dhe i kujtoni edhe jetën e kontributin e heronjve të Policisë së Kosovës si Enver Zymberi, Afrim Bunjaku dhe të gjithë të rënëve në krye të detyrës. Ata janë busulla e cila orienton angazhimin dhe përkushtimin tuaj”, ka thënë kryeministri.

Në ceremoninë e diplomimit të gjeneratës së 63-të të Policisë së Kosovës diplomuan gjithsej 397 kadetë, prej tyre 118 gra dhe 279 burra.

Kurti u ka bërë thirrje të diplomuarve që gjatë shërbimit të udhëhiqen nga ndershmëria, përgjegjësia dhe integriteti profesional e personal, duke theksuar se nga ky moment ata nuk janë më kadetë, por pjesë e gjeneratës që do të ndërtojë të ardhmen e Policisë së Kosovës./Telegrafi/

Lini një koment