“Dosja 23” në Zubin Potok- 9 të arrestuarit për krime lufte ndalohen për 48 orë, publikohen pamjet nga aksioni
Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës kanë publikuar të dhëna të reja dhe pamje nga aksioni i sotëm në Zubin Potok, ku u arrestuan nëntë persona nën dyshimin për krime lufte.
Sipas komunikatës së përbashkët të Prokurorisë Speciale dhe Policisë së Kosovës, nëntë të arrestuarit janë ndaluar për 48 orë me urdhër të Prokurorisë Speciale.
Të dyshuarit D.D., M.R., M.R., R.R., S.D., S.D., V.L., R.R. dhe D.D. dyshohen për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.
Hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, të mbështetur edhe nga njësi të tjera të Policisë së Kosovës, kanë realizuar kontrolle në disa lokacione në komunën e Zubin Potokut.
Gjatë bastisjeve, sipas autoriteteve, janë sekuestruar nëntë telefona mobilë, dy libreza ushtarake, një armë e gjatë dhe një pushkë gjuetie.
Po ashtu, janë sekuestruar fishekë të kalibrit 7.65 mm dhe fishekë të pushkës së gjuetisë, katër predha, rreth 23 mijë euro para të gatshme dhe rreth 60 mijë dinarë serbë.
Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës kanë bërë të ditur se do të vazhdojnë ndjekjen penale të personave të dyshuar për krime lufte.
Aksioni, i zhvilluar të dielën në disa fshatra të Zubin Potokut, është pjesë e operacionit të koduar “Dosja 23” dhe lidhet me hetimet për krime lufte të dyshuara gjatë luftës në Kosovë./Telegrafi/