Drafti për “faturën” e BE-së, nga TVSH te plastika, si do të financohet kontributi pas anëtarësimit
Qeveria po përgatit kuadrin ligjor për mënyrën se si do të llogarisë, planifikojë dhe transferojë kontributin e saj në buxhetin e Bashkimit Europian pas anëtarësimit. Të paktën këtë synon një projektligj i Ministrisë së Financave i nxjerrë për konsultim publik.
Projektligji “Për Kontributin Kombëtar të Republikës së Shqipërisë në buxhetin e Bashkimit Europian” përcakton rregullat për përllogaritjen, financimin, raportimin dhe vënien në dispozicion të kontributit, si dhe përgjegjësitë e institucioneve shqiptare të përfshira në proces.
Kontributi do të lidhet me sistemin e “Burimeve të Veta” të BE-së. Drafti e përkufizon atë si kontributin e Shqipërisë në buxhetin europian që përfshin “burimet tradicionale vetjake, burimin e bazuar në tatimin mbi vlerën e shtuar (TVSH), burimin e bazuar në të ardhurat kombëtare bruto (GNI)” dhe burime të tjera të përcaktuara nga legjislacioni i BE-së.
Në dispozitat e tjera, projektligji përfshin në mënyrë të posaçme edhe burimin e lidhur me mbetjet e paketimeve plastike që nuk riciklohen.
Ministria e Financave duhet të përfshijë në planifikimin buxhetor vlerën e parashikuar të kontributit, si dhe “hapësirat fiskale të nevojshme për përballimin e korrigjimeve të mundshme financiare” dhe detyrimet që mund të dalin nga rishikimet statistikore, metodologjike ose financiare.
Pagesat nuk do të përcaktohen në mënyrë të njëanshme nga autoritetet shqiptare. Sipas draftit, ato do të kryhen në bazë të kërkesave të Komisionit Europian.
“Pagesat e Kontributit Kombëtar për komponentët e Burimeve të Veta kryhen mbi bazën e thirrjeve për fonde (‘Call for Funds’)”, thuhet në projektligj, ndërsa këto njoftime do të përcaktojnë shumat dhe afatet e transferimit.
Për administrimin e flukseve financiare parashikohet një llogari e posaçme pranë Bankës së Shqipërisë. “Llogaria e Kontributit Kombëtar” do të jetë në pronësi të Republikës së Shqipërisë, do të hapet dhe administrohet nga ministria përgjegjëse për financat dhe prej saj do të kryhen transferimet drejt buxhetit të BE-së.
Ministria e Financave merr rolin e Autoritetit Kombëtar Koordinues dhe do të bashkërendojë institucionet që prodhojnë dhe verifikojnë të dhënat, do të bëjë përllogaritjet përkatëse, do të planifikojë pagesat në buxhetin e shtetit dhe do të raportojë pranë Komisionit Europian.
Projektligji kërkon gjithashtu që të dhënat e përdorura për kontributin të jenë të gjurmueshme, të verifikueshme dhe të dokumentuara, me ruajtje deri në 10 vjet.
INSTAT do të jetë përgjegjës për prodhimin e të Ardhurave Kombëtare Bruto sipas metodologjisë ESA 2010 dhe transmetimin e të dhënave përkatëse në Eurostat.
Administrata Doganore do të administrojë dhe raportojë burimet tradicionale të veta, ndërsa Administrata Tatimore do të sigurojë të dhënat për bazën e harmonizuar të TVSH-së. Ministria përgjegjëse për mjedisin do të mbulojë të dhënat për mbetjet e paketimeve plastike të pa ricikluara.
Një tjetër element është krijimi i Bazës Kombëtare të të Dhënave për Burimet e Veta të BE-së, e cila do të administrohet nga Ministria e Financave. Ajo do të grumbullojë të dhënat doganore, të TVSH-së, AKB-së dhe mbetjeve plastike, si dhe dokumentacionin metodologjik, gjurmët e auditimit, korrigjimet, detyrimet e papaguara dhe interesat e vonesës.
Drafti parashikon gjithashtu pasoja në rast të raportimit me vonesë ose të të dhënave të pasakta. Ndër shkeljet renditen mosdorëzimi i informacionit brenda afatit, raportimi i të dhënave të pasakta ose të paplota, mosruajtja e dokumentacionit dhe mosbashkëpunimi gjatë auditimeve.
Ministria e Financave mund të kërkojë korrigjimin e shkeljeve brenda 15 ditëve, ndërsa në raste që sjellin pasoja financiare parashikohet përgjegjësi administrative, disiplinore, civile ose penale sipas legjislacionit në fuqi.
Detyrimet për pagesën e kontributit do të aktivizohen vetëm kur Shqipëria të bëhet anëtare e BE-së. Drafti përcakton se transferimi i Kontributit Kombëtar dhe detyrimet e tjera financiare “zbatohen nga data e anëtarësimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Europian”.
Megjithatë, institucionet duhet të kenë ngritur strukturat, sistemet e informacionit, bazën e të dhënave dhe procedurat përkatëse brenda 24 muajve nga hyrja në fuqi e ligjit.
Relacioni që shoqëron projektligjin thotë se para anëtarësimit nuk parashikohen efekte financiare të drejtpërdrejta nga vetë kontributi në buxhetin e BE-së.
Detyrat shtesë të institucioneve parashikohet të mbulohen nga fondet e tyre ekzistuese, ndërsa për ngritjen e Bazës Kombëtare të të Dhënave dhe përshtatjen e sistemeve informatike “vlerësimi i kostove përkatëse do të kryhet në fazat e mëvonshme të zbatimit”.
Relacioni e lidh nismën me përgatitjet e Shqipërisë për Kapitullin 33, “Dispozitat financiare dhe buxhetore”, duke thënë se aktualisht mungon një kuadër horizontal që të përcaktojë koordinimin mes administratës doganore, tatimore, statistikave, mjedisit dhe financave publike për administrimin e kontributit në buxhetin e BE-së.