“Duam 50 milionë lekë, ose…”- Kërcënim me eksploziv në Dibër, biznesmenit iu dërgua kërkesa me një kuti picas
Një biznes privat në qytetin e Peshkopisë është bërë objekt i një kërcënimi serioz, pasi pronarit të subjektit i është kërkuar një shumë prej 50 milionë lekësh, me paralajmërimin se në të kundërt do t’i hidhej në erë biznesi.
Sipas të dhënave paraprake, pronarit i është dërguar një kuti picash, brenda së cilës ndodhej kërkesa për pagesën e shumës së parave, së bashku me disa materiale që dyshohet se mund të përbënin një pajisje artizanale të ngjashme me eksploziv.
Pas konstatimit të pakos, zona në dalje të qytetit të Peshkopisë është rrethuar nga forcat e Policisë, ndërsa për rreth tre orë është mbajtur nën kontroll perimetri për të garantuar sigurinë e qytetarëve.
Me mbërritjen e specialistëve të çminimit dhe neutralizimit të lëndëve eksplozive nga Tirana, janë marrë masa të tjera sigurie, ndërsa mësohet se janë mbyllur edhe subjektet përreth zonës së karburantit.
Ndërkohë, qarkullimi i automjeteve është devijuar dhe ka vijuar nëpërmjet unazës së Peshkopisë.
Në kuadër të hetimeve, disa persona janë shoqëruar nga Policia, ndërsa po punohet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe identifikimin e autorëve të kërcënimit.
Pritet konfirmimi zyrtar i Policisë së Shtetit për detajet e ngjarjes dhe natyrën e materialeve të gjetura.