Dukagjini kërkon përmbysjen ndaj Luganos
Pas suksesit të Dritës ndaj Florianës, tifozët e futbollit kosovar do të kenë mundësinë të ndjekin edhe një tjetër përballje evropiane me protagonist një klub nga Kosova.
Sot vjen sfida kthyese e raundit të dytë kualifikues të Ligës së Konferencës mes Dukagjinit dhe Luganos. Ndeshja do të zhvillohet në Kampin Nacional në Hajvali në orën 16:30 dhe transmetohet drejpërdrejt në RTK.
Skuadra nga Klina hyn në këtë takim me synimin për ta përmbysur disavantazhin minimal nga ndeshja e parë, ku u mposht 1:0 në Zvicër. Përballë do të ketë një Lugano me përvojë të madhe në garat evropiane, por Dukagjini beson se me mbështetjen e tifozëve dhe një paraqitje të mirë mund të sigurojë kalimin në raundin tjetër.
Ekipi i drejtuar nga Arsim Thaçi ka zhvilluar përgatitjet e fundit para kësaj sfide, me atmosferë pozitive në kampin e skuadrës.
Në rast të kualifikimit, Dukagjini do të vazhdonte rrugëtimin historik në garat evropiane dhe do t’i afrohej edhe më shumë fazës së grupeve të Ligës së Konferencës.
