Duke folur para hetuesve, publikohet foto e Ergys Agasit në Policinë e Tiranës
JavaNews ka siguruar një fotografi të Ergys Agasit nga brenda Drejtorisë së Policisë së Tiranës, teksa po kryhen procedurat e arrestimit të tij. Agasi shihet teksa qëndron ulur në karrige me kokën ulur, i veshur me pantallona të shkurtra dhe shapka.
Agasi u arrestua pasditen e të mërkurës në zonën e Plepave në Durrës, bashkë me ish-zyrtarin e Policisë së Shtetit, Uljan Shpataraku.
Burime bëjnë të ditur se Agasi ishte mbajtur nën vëzhgim dhe ndjekje për më shumë se dy orë sot, ndërsa forcat e policisë kishin planifikuar ndërhyrjen në momentin e përshtatshëm. Prej më shumë se një muaji, strukturat e policisë dhe SPAK kanë qenë në gjurmët e Ergys Agasit, duke e mbajtur nën vëzhgim dhe ndjekje të gjitha lidhjet e tij deri në momentin kur është shfaqur sot dhe kanë realizuar arrestimin.
Agasi është pikasur fillimisht nga efektivët e Forcës Operacionale në Elbasan dhe më pas ndjekja ka vijuar nga Peqini, Rrogozhina dhe në Durrës, ku edhe është arrestuar në zonën e Plepave.
Për dosjen e AKSHI-t janë nën hetim edhe ish-drejtuesja e institucionit Mirlinda Karçanaj si dhe biznesmeni Ermal Beqiraj, i arrestuar një muaj më parë në Francë.
Ndaj të hetuarve janë ngritur akuza për disa vepra penale, përfshirë grup i strukturuar kriminal, konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës, heqje e paligjshme të lirisë, shkelje e barazisë në tendera, si dhe pastrimin e parave.
