Durrës, vijon aksioni i Policisë Bashkiake për lirimin e hapësirave publike
Policia Bashkiake ka vijuar aksionin për lirimin e hapësirave publike nga barrierat e vendosura në mënyrë të paligjshme për të zënë vende parkimi.
Gjatë ndërhyrjes së kësaj të marte, efektivët janë përqendruar në bllokun e pallateve pranë sheshit “Pranvera” dhe në zonën e ish-rajonit të policisë, ku janë larguar pengesa të ndryshme.
Kupola betoni, struktura metalike, bidonë, zinxhirë, goma, karrige dhe mjete të tjera rrethanore përdoren nga qytetarë apo subjekte për të rezervuar hapësira parkimi në mënyrë individuale.
Policia Bashkiake njofton se aksioni do të vijojë në ditët në vazhdim në të gjitha lagjet e Durrësit.
Ndërkohë, qytetarëve dhe subjekteve u bëhet apel që t’i largojnë vullnetarisht pengesat nga hapësirat publike.