Dy operacione në Korçë kundër trafikimit të emigrantëve, arrestohen dy 21-vjeçarë
Dy operacione policore janë finalizuar në qarkun e Korçës, duke goditur veprimtarinë kriminale të ndihmës, kundrejt pagesës, për kalimin e paligjshëm të kufirit nga emigrantë që vijnë nga vendet e treta.
Operacionet “Route 2” dhe “Qatromi” janë zhvilluar nga strukturat e Policisë Kufitare dhe ato të Hetimit të Trafiqeve të Paligjshme në Korçë, në bashkëpunim me struktura të tjera të Policisë së Shtetit dhe nën drejtimin e Prokurorisë.
“Route 2”, 5 emigrantë në automjet
Gjatë operacionit “Route 2”, shërbimet e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë nr. 6 Tiranë, kapën dhe ndaluan 21-vjeçarin M. Sh., banues në Tiranë.
Sipas Policisë, i riu u konstatua në fshatin Tren të Devollit, ndërsa në automjetin që drejtonte ndodheshin 5 shtetas nga vendet e treta.
Ai nuk iu bind urdhrit të policisë për të ndaluar dhe u largua me automjet në drejtim të aksit “Korçë-Pogradec”. Në fshatin Gurishtë, sipas policisë, 21-vjeçari braktisi automjetin dhe u largua në këmbë.
Pas disa orësh kërkime, ai u kap nga shërbimet e Komisariatit të Policisë nr. 6 në Tiranë.
“Qatromi”, 6 emigrantë kapen në automjet
Operacioni i dytë, i koduar “Qatromi”, u zhvillua pas një hetimi disajavor me metoda proaktive nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme pranë DVP Korçë.
Në kuadër të operacionit u arrestua në flagrancë 21-vjeçari S. D., banues në fshatin Libonik, Maliq.
Nga hetimet, sipas Policisë, ka rezultuar se i riu ndihmonte shtetasit e huaj të strehoheshin në një ndërtesë të braktisur në fshatin Qatrom dhe më pas i transportonte me automjet drejt Tiranës, kundrejt pagesës.
Në momentin e ndërhyrjes së policisë, S. D. nuk iu bind urdhrit për të ndaluar dhe tentoi të largohej nga automjeti. Brenda tij u gjetën 6 emigrantë nga vendet e treta. 21-vjeçari u kap disa metra larg automjetit.
Materialet procedurale për të dyja rastet i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.